Kulturë Kino

Cameron Diaz rikthehet në skenën e filmit

Pas tetë vjetësh pauzë nga skena e filmit, Cameron Diaz do të paraqitet sërish me një rol të ri.

Aktorja në vitin 2018 kishte njoftuar se po pensionohej nga Hollywood, mirëpo ajo u rikthye në filmin e ri të Netflix “Back in Action”, bashkë me Jamie Foxx.

Të dy aktorët në vitin 2014 janë paraqitur me role në filmin “Annie”, që ishte paraqitja e fundit e Diaz në një film.

Cameron Diaz në një postim në intstagram me këtë rast shkroi se vetëm Foxx arriti ta kthejë atë në aksion. Ajo po ashtu shkroi se mezi pret të bëhet pjesë e filmit, për të cilin ka thënë se do të jetë si një eksplodim.

Netflix ende nuk ka bërë të ditur ndonjë datë të lansimit të filmit, por Fox në Twitter shkroi se prodhimi i tij do të fillojë këtë vit.

Regjinë e filmit do ta bëjë Seth Gordon. Detaje të tjera rreth tij nuk janë bërë të ditura.

Diaz, edhe pse nuk ishte aktive vitet e fundit në Hollywood, u angazhua në një punë tjetër. Ajo lansoi një markë të verës organike.

Aktorja Cameron Diaz është martuar me këngëtarin Benji Madden në vitin 2015 dhe kanë vajzën Raddix, të cilën Diaz e ka lindur në vitin 2020.