Lajme

Borrell mirëpret vendimin e Qeverisë për shtyrjen e masave: Çështjet të adresohen përmes dialogut

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrel ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për shtyrjen e reciprocitetit për targa dhe letërnjoftime të lëshuara nga Serbia deri më 1 shtator.

Borrell theksoi se pret që bllokadat e vendosura nga serbët në veri të largohen menjëherë.

“Mirëpresim vendimin e Kosovës për zhvendosjen e masave deri më 1 shtator. Pres që të gjitha bllokimet e rrugëve të hiqen menjëherë”, ka shkruar Borrell në Twitter.

“Çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe fokusimi në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thelbësore për rrugët e tyre të integrimit në BE”.

Theksojmë se më 31 korrik, Qveria e Kosovës ka marrë vendim që të shtyej për datën 1 shtator masat e reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet.

Ky vendim, siç njofton Qeveria ka ardhur pas bisedimeve me faktorët ndërkombëtarë, amerikanë dhe evropianë.

Para se të mirrej vendimi për shtyerjen e aplikimit të masave të reciprocitetit, Osmani dhe Kurti zhvilluan një takim në Presidencë me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Pas takimit, Hovenier ka thënë se kërkesa e SHBA-së është që të shtyhet për 30 ditë implementimi i reciprocitetit për dokumente me Serbinë.

Lexo edhe:
SHBA kërkon që reciprociteti të shtyhet për 30 ditë

Në anën tjetër, misioni paqeruajtës i NATO-së në Kosovë, KFOR, situatën në veri e ka cilësuar të tensionuar dhe ka shprehur gatitshmërinë për ndërhyrje në rast të rrezikimit të stabilitetit të sigurisë në veri.

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera, rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Lexo edhe:
KFOR: Siguria në veri është e tensionuar, jemi të gatshëm të ndërhyjmë

Protesta e serbëve lokalë vjen një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Sipas vendimit të Qeverisë, të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisen me një dokument të hyrje-daljes, që do të jetë i vlefshëm për 90 ditë.

Me një dokument të tillë, qytetarët e Kosovës pajisen qe 11 vjet, sa herë që hyjnë në territorin e Serbisë./Shqip.com