Lajme

Borrell: Marrëveshja përfundimtare do ta zgjidhte përfaqësimin ligjor të Kosovës

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, thotë se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhë edhe çështjen e përfaqësimit ligjor të Kosovës në nisma të ndryshme rajonale, transmeton Shqip.com.

Kështu tha ai në një përgjigje me shkrim në pyetjet e deputetëve të Parlamentit Evropian, që i referohet, siç thuhet në titull të pyetjes, “mungesës së koherencës në përfaqësimin ligjor të Kosovës”.

“Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve është baza më e mirë për tejkalimin e çështjes së përfaqësimit ligjor [të Kosovës]”, ka thënë ai, raporton REL.

Ai konfirmoi se autoritetet e Kosovës janë të interesuara që Kosova të mos përfaqësohet më nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) në forume rajonale.

“BE-ja është e gatshme ta trajtojë këtë çështje, përfshirë edhe përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duke pasur parasysh se organizatat si CEFTA [Marrëveshja Tregtare e Evropës Qendrore] kanë strukturat, procedurat dhe organet e tyre vendimmarrëse, të cilat gjithashtu përfshijnë edhe palët e tjera”. /Shqip.com