Lajme

“Borrell e Lajçak po sillen si emisarë të Vuçiqit”

Lehtësuesit e BE-së në çështjet Kosovë-Serbi, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka reaguar pas deklarimeve të shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për tërheqjen e njësive speciale nga veriu i Kosovës, duke thënë se ai bashkë me Miroslav Lajçak, po sillen si emisarë të Vuçiqit sesa që po luajnë rolin e lehtësuesve të BE-së, transmeton Shqip.com.

Me anë të një komunikate për media, KMDLNJ-ja thotë se “Borrell dhe Lajçak në vend se të ofrojnë neutralitet, ata po mundohen të imponojnë arbitraritet”.

“Borrell dhe Lajçak nuk janë të paanshëm, por më shumë sillen si emisarë të Vuçiqit, kriminelit të luftës se sa që janë lehtësues të BE-së”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

“Borrelli dhe Lajçak janë lehtësues për Serbinë dhe shtrëngues për Kosovën në bisedimet për normalizim të marrëdhënieve midis dy shteteve. Borelli dhe Lajçak, në vend se të ofrojnë neutralitet ata po mundohen të imponojnë arbitraritet”.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut

Më tej thuhet se detyrimi i Policisë së Kosovës ka qenë t’i largojë pengesat nga rruga që të krijojë kushte për liri të lëvizjes për të gjithë.

“Nëse situata kthehet në pikën zero dhe nëse nuk ndërmerren masa ndaj bllokuesve të rrugës si dhe ndaj atyre që bënë vepra kriminale ndaj institucioneve të Kosovës si edhe ndaj atyre që i përkrahën në mënyrë aktive e që paguhen nga taksat e qytetarëve të Kosovës, atëherë ç’ kuptim kishte dërgimi i Njësive Speciale të Kosovës”.

Njësia Speciale e Kosovës në Veri të vendit

KMDLNj thotë se situata në veri aktualisht po e favorizon shumë Serbinë ndërsa deklarata se: “nuk mund të dërgohet Policia Speciale aty ku është KFOR-i paraqet noterizim të presionit që i bëhet palës më të dobët e që është Kosova sikur që është inkurajim për forcat kriminale – terroriste serbe se për veprime kriminale nuk do të ndëshkohen, madje as me masa disiplinore. /Shqip.com