Lajme

Borrell do t’i informoj ministrat e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, do t’i informojë sot ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian për ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe diskutimeve që i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka pasur ditëve të fundit në Prishtinë dhe në Beograd.

Këtë e ka konfirmuar të hënën, më 23 janar, në një konferencë për shtyp zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, raporton REL.

Ai nuk ka dashur të flasë shumë rreth takimeve që Lajçaku ka pasur në Prishtinë dhe Beograd, duke thënë se për këtë ka folur vetë i dërguari i posaçëm pas përfundimit të takimeve në të dy kryeqytetet.

“Në vazhdimësi të vizitës që Lajçak pati, përfaqësuesi i lartë, Borrell, do t’i njoftojë sot ministrat për rezultatet e takimeve dhe për hapat e ardhshëm në procesin e dialogut“, ka thënë zëdhënësi i BE-së, duke paralajmëruar se gjatë ditës Borrell do të bëjë të ditur edhe më shumë hollësi.

Lajçak gjatë vizitës së fundit në Kosovë dhe Serbi ishte i shoqëruar edhe nga i dërguari amerikan, Gabriel Escobar, si dhe nga tre këshilltarë të lartë nga Gjermania, Franca dhe Italia.

Kjo vizitë e përbashkët, sipas diplomatëve në BE, ka pasur për qëllim të dërgojë mesazhin për një mbështetje të madhe për propozimin që u është dhënë palëve dhe për të cilin presin përgjigjen e tyre dhe të angazhohen për miratimin e tij.

Pas takimit me Kurtin, Lajçak tha se delegacioni i emisarëve ndërkombëtarë ka pritur më shumë mirëkuptim rreth mundësive që ofron propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Kurse, pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Lajçak tha se ai “tregoi qasje të përgjegjshme dhe vullnet për të marrë vendime të vështira në interes të paqes dhe perspektivës evropiane të Serbisë”.

/Shqip.com