Lajme Ballkan

Borrell: Dialogu – rruga e vetme për ta stabilizuar situatën mes Kosovës e Serbisë

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, është deklaruar rreth dialogut Kosovë-Serbi, në Riga të Letonisë, ku është mbajtur takimi i ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të NATO-s, transmeton Shqip.com.

Borrell gjatë adresimit të tij për media, ku përmendi disa çështje që prekin Ballkanin Perëndimor, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, tha se duhet vazhduar dhe nuk ka rrugë tjetër për të stabilizuar situatën.

“Për Kosovën e Serbinë kemi pasur shumë tensione në muajt e fundit. Situata është bërë më e qetë së fundi. Por prapë ka nevojë të rikthehemi në tavolinën e dialogut, të vazhdohet dialogu. S’ka rrugë tjetër për ta stabilizuar situatën”, ka thënë Borrell, në konferencën për media pas takimit.

Ai ka thënë se Ballkani Perëndimor mbetet rajon strategjik për BE-në.

Ndërsa shtoi se për Bllokun është shumë i rëndësishëm stabiliteti në rajon dhe ka shprehur shqetësimin për zhvillimet e fundit në Bosnjë-Hercegovinë.

Sipas Borrell, ka pasur tentime për të zhbërë 26 vjet paqe e stabilitet. /Shqip.com