Borrel: Të fillohet menjëherë zbatimi i propozimit tonë
Shefi për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrel, ka dhënë detaje pas informimit të ministrave të jashtëm të BE-së rreth takimit të fundit mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka bërë të ditur se ministrat i kanë dhënë mbështetje të fortë atij dhe Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajčák.
“Ata shprehën shqetësimin për mungesën e zbatimit nga Palët të angazhimeve të tyre sipas Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit – normalizimi është një proces, është një rrugë – dhe zbatimi i Aneksit. Të dyja palët ranë dakord për këtë rrugë drejt normalizimit në fillim të këtij viti. Kjo është diçka e detyrueshme për ta dhe Këshilli u ka kërkuar palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim në këtë zbatim”, ka deklaruar Borrel.
Ai ka thënë se kërkesa kryesore ndaj udhëheqësve të dyja vendeve është që të fillohet me zbatimin e propozimit të BE-së pa vonesa të mëtejshme dhe kjo përfshin detyrimin për të dyja palët për të zbatuar plotësisht Marrëveshjet e Dialogut të arritura më herët.
/Shqip.com