Lajme

Borrell kërkon që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje për targat para 21 nëntorit

Shefi i Diplomacisë Evropiane, Josep Borell, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të arrijnë marrëveshje para datës 21 nëntor për çështjen e targave.

Ai tha se 21 nëntori nuk duhet t’i gjejë Kosovën dhe Serbinë pa një marrëveshje për targat, ose siç u tha ai “do të kemi situatë të rrezikshme”.

Borrell tha më herët gjatë ditës se i ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë një propozim për zgjidhjen e krizës aktuale.

“Duhet të gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë. Kemi paraqitur një propozim për dalje nga kriza, [të cilin] duhet ta shqyrtojnë [palët]”, tha Borrell para një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së, që do të mbahet në Bruksel, raporton Radio Evropa e Lirë.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka folur për propozimin franko-gjerman.

As pas takimit, ai nuk dha detaje se çfarë përmban propozimi, por falenderoi Francën dhe Gjermaninë për ndihmën.

Të premten e kaluar, Borrell takoi ndarazi në Paris kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas këtyre takimeve, ai u bëri thirrje serbëve të veriut që të kthehen në institucionet e Kosovës dhe të vazhdojnë t’i zbatojnë përgjegjësitë e tyre.

BE-ja dhe SHBA-ja i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, me qëllim shmangien e tensioneve.

Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjoba prej 150 eurosh, ndërsa në të tretën do të shpërndahen targa provuese.

Me këtë plan, pritet që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa RKS.

/Shqip.com