Art Jetese

Biskotat e mengjesit me krem limon

Biskotat janë gjithmonë të mirëpritura për të shoqëruar çajin apo kafen e mëngjesit.

Më poshtë gjeni recetën e biskotave me të cilat mund të filloni ditën mbarë.

Përbërësit: 250g miell, 125g gjalpë i butë në temperaturë ambienti, 125g sheqer, 1 vezë, lëkura 2 limonëve e grirë në rende

Për glasenë sipër: 1 e bardhë vezë, 220g sheqer pluhur dhe 3 lugë kafeje lëng limoni, fëstëkë pluhur për zbukurim

Përgatitja: Ndezim furrën në 180°.

1.Në robot përziejmë gjalpin me sheqerin derisa të bëhen si krem, shtojmë vezën, miellin dhe lëkurat e limonëve duke i përzier pa ndaluar. Hapim brumin me petës, u japim biskotave formën që dëshirojmë dhe i vendosim te tava e furrës, e veshur më parë me letër furre. I pjekim për 10-12 minuta.

2.Lëmë biskotat të ftohen dhe ndërkohë përgatisim glasenë: rrahim me rrahësin elektrik të bardhën e vezës me sheqerin, derisa të bëhen si krem homogjen, shtojmë lëngun e limonit dhe e rrahim akoma.

Rezultati duhet të jetë një krem jo si borë e ngrirë. Lyejmë biskotat me krem dhe i spërkasim sipër me fëstëkë pluhur ose fëstëkë në thërrime.

Glaseja ngrin në ambient me kalimin e kohës, prandaj nëse nuk do ta përdorni në moment, ruajeni në një tas të mbuluar me letër plastike në kontakt direkt me të.