Lajme Ballkan

“Bild”: A po e nxit Putini luftën e ardhshme ballkanike?

Që nga shkurti i vitit 2022, pushtimi i Ukrainës ka qenë tema për Vladimir Putin. Tani tirani i Kremlinit ka gjetur një fushë tjetër beteje për të luajtur.

Sipas SHBA-së, Serbia e rreshtuar nga Rusia ka grumbulluar masivisht trupa në kufirin me Kosovën! Prishtina akuzoi Beogradin për avancimin e ushtrisë së tij drejt Kosovës “nga tre drejtime të ndryshme”.

Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së foli për një vendosje “të paprecedentë” të artilerisë dhe tankeve në kufi.

Qeveria federale i bëri thirrje Serbisë që t’i tërheqë trupat. Të shtunën, Ministria e Jashtme e Gjermanisë shkroi në X (ish-Twitter): “Nuk duhet të ketë përshkallëzim të mëtejshëm mes Serbisë dhe Kosovës. Është e rëndësishme që Serbia t’i reduktojë menjëherë trupat në kufi.”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga SHBA-ja ndihmë kundër “planeve të luftës” të Beogradit. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ndërkohë i përshkroi raportimet për vendosjen e trupave si “të pavërteta”.

Tensionet në rajon ishin përshkallëzuar javën e kaluar. Një grup komando serbë prej 30 personash të armatosur rëndë luftoi me policinë e Kosovës në Banjskë pranë Mitrovicës në veri të Kosovës. Në luftime u vranë tre sulmues serbë dhe një polic kosovar.

Përshkallëzimi i përgjakshëm pasoi vetëm disa ditë pas kolapsit të bisedimeve të BE-së që synonin të qetësonin mosmarrëveshjen në dukje të pafundme mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova, e cila tani është pothuajse ekskluzivisht e banuar nga shqiptarët, u shkëput nga Serbia në vitin 1999 me ndihmën e NATO-s dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008. Më shumë se 100 vende, përfshirë Gjermaninë, e njohin pavarësinë, por jo Serbia.

Edhe Rusia, e cila është aleate e Serbisë, nuk e njeh Kosovën.

A po fillon tashmë Putini luftën e ardhshme këtu?

Grumbullimi masiv i trupave të Serbisë mund të ketë pasoja për të gjithë Evropën.

Rusia, veçanërisht luftënxitësi Putin, ka një interes të madh për përshkallëzimin, shkruan gazeta gjermane, Bild.

Eksperti i sigurisë në Ballkan, Agon Maliqi, analizon në revistën “Profil”: “Putini ka një interes të qartë për të krijuar tensione në Kosovë dhe për ta provokuar NATO-n”.

Anëtari i Bundestagut dhe eksperti ushtarak Roderich Kiesewetter (CDU) shkruan në X kjo situatë e pasigurtë “mund të shkaktojë lëvizje të mëtejshme të refugjatëve në Evropën Qendrore”.

/Shqip.com