Ekonomi Biznes

Bie numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara në Kosovë

Foto: Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se ka rënie të ndërmarrjeve të reja të regjistruara.

Sipas të dhënave të ASK-së, në tremujorin e dytë të vitit 2021 janë regjistruar 2,813 ndërmarrje ose 4,55 për qind më pak në krahasim me tremujorin paraprak.

Në raportin mbi ndërmarrjet ekonomike në Kosovë thuhet se krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM1 2020) ka rritje për 17.84% të ndërmarrjeve të regjistruara.

“Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike, motoçikletave me 791 ndërmarrjeve të regjistruara (28.12%), akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 360 ndërmarrjeve të regjistruara (12.8%), prodhimi me 303 ndërmarrjeve të regjistruara (10.77%), etj”, bën të ditur ASK-ja.

Në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2.707 ndërmarrje të regjistruara, në këtë tremujor (96 %); me 5-9 të punësuar janë 63 (2%); me 10-19 të punësuar ishin 30 ndërmarrje të regjistruara (1%); me 20-249 të punësuar ishin 12 ndërmarrje të regjistruara (0.4%); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar ishte vetëm një ndërmarrje e regjistruar gjatë këtij tremujori.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron komuna e Prishtinës me 823 ndërmarrje të regjistruara (29.26%); Prizreni 263 (9.35%); Ferizaj 219 (7.79%); Gjilani 151 (5.37%); Gjakova 131 (4.66%) dhe Peja me 120 ndërmarrje të regjistruara (4.27%). Komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor./SHQIP.com