Lajme Botë

Biden: I gatshëm të takohem me Putin nëse vërtetë do t’i japë fund luftës

Presidenti i SHBA, Joe Biden ka thënë se do të ishte i gatshëm të takonte, Vladimir Putinin e Rusisë “nëse në fakt ka një interes që ai të vendosë se po kërkon një mënyrë për t’i dhënë fund luftës”.

Kjo është deklarata e parë e këtij lloji e presidentit amerikan që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës.

“Jam i përgatitur të flas me Putinin, nëse njëmend ai ka interes që të gjejë një mënyrë për t’i dhënë fund luftës. Ai nuk e ka bërë këtë ende”.

Duke iu drejtuar gazetarëve së bashku me presidentin francez, Emmanuel Macron, ai theksoi se Putin nuk e ka bërë ende këtë.

Të dy ata theksuan se do të vazhdojnë të qëndrojnë kundër luftës së Rusisë.

Siç raporton BBC, në përgjigje, Kremlini tha se presidenti Putin mbetet i hapur për bisedime që synojnë “të garantojnë interesat tona”.

Megjithatë, zëdhënësi, Dmitry Peskov u tha gazetarëve se Moska me siguri nuk ishte e gatshme të pranonte kushtet e SHBA: “Çfarë tha Presidenti Biden në fakt? Ai tha se negociatat janë të mundshme vetëm pasi Putin të largohet nga Ukraina.”

Presidenti Macron e bëri të qartë se kishte rënë dakord me zotin Biden se ata kurrë nuk do t’i nxisnin ukrainasit të bëjnë një kompromis “që nuk do të jetë i pranueshëm për ta”.

/Shqip.com