Lajme Botë

Biden bën thirrje për forcimin e ligjeve për armët e zjarrit në SHBA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, u dërgoi ngushëllime familjeve që humbën të afërmit e tyre në të shtënat në Virxhinia vetëm dy ditë përpara Ditës së Falënderimeve dhe bëri thirrje për më shumë veprime për të kufizuar aksesin e armëve në SHBA.

“Biden vuri në dukje se si familjet do të mbajnë zi në ‘një nga festat më të dashura’ në vend, pasi një person i armatosur hapi zjarr në një supermarket në Virginia duke vrarë 6 persona”, raportojnë mediat në SHBA.

Tragjedia e fundit e shkaktuar nga armët e zjarrit bëri që Biden të bënte thirrje për më shumë veprime për reformën e armëve, pasi lavdëroi shtytjen e tij për këtë çështje në fillim të këtij viti.

“Këtë vit, unë firmosa reformën më të rëndësishme të armëve në një gjeneratë, por kjo nuk mjafton. Ne duhet të ndërmarrim veprime më të mëdha”, shkroi ai në deklaratën e tij të mëngjesit të së mërkurës.

Sulm me armë në SHBA, punonjësi i një supermarketi në Virxhinia vret 6 persona!

Një sulm me armë ka ndodhur sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një punonjës i një supermarketi në shtetin amerikan të Virxhinias ka vrarë gjashtë persona dhe ka plagosur katër të tjerë, sipas njoftimit të policisë.

Oficerët u thirrën në vendngjarje pasi personi i armatosur, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, hapi zjarr ndaj kolegëve. Më vonë ai e ktheu armën kundër vetes dhe vdiq nga një plagë e vetëshkaktuar me armë zjarri.

Ende nuk dihet motivi që e shtyu autorin të ndërmerrte këtë veprim ekstrem. Policia nuk është në kërkim të asnjë personi tjetër në lidhje me sulmin, pasi autori i cili ndërroi jetë është i dyshuari kryesor dhe i vetëm i sulmit.

/Shqip.com