Sport Shqiptar

Beshiktashi siguron bomberin e Serisë A, si do jetë e ardhmja e Muçit dhe Rashicës?

Klubi i Beshiktashit ka bërë lëvizje të rëndësishme gjatë kësaj vere, në tentativën për të shkurtuar diferencën që ka krijuar nga Gallatasaraj dhe Fenerbahçe në luftën për titullin kampion.

Afrimi i trajnerit Xhovani Van Bronkhorst shihet si hapi i parë i ristrukturimit, teksa klubi po bëhet gati të prezantojë një goditje të bujshme nga Italia.

Mediat italiane bëjnë të ditur se Çiro Imobile do t’i japë lamtumirën Lacios, për t’u bashkuar me Beshiktashin në ditët në vijim.

Klubi turk do e blejë për 3 milionë euro ish-fituesin e “Këpucës së Artë” në Itali dhe do e bëjë atë sulmuesin kryesor në skuadër.

Por këto ndryshime të reja në repartin e avancuar vënë në dyshim vendin në ekip të Ernest Muçit dhe Milot Rashicës.

Sipas “Fotosport”, e ardhmja e tyre në këtë klub nuk është e sigurt, teksa ekziston mundësia që një nga ata, apo edhe të dy, të transferohen në rast ofertash të rëndësishme.

Megjithatë, më parë trajneri Van Bronkhorst pritet që të provojë këta lojtarë në krahët e sulmit, me Muçin majtas e Rashicën djathtas në mbështetje të Imobiles, para se të marrë vendimin përfundimtar nëse i sheh si titullarë apo jo, meqë ka edhe alternativa të tjera në ekip për këto pozicione.

/Shqip.com