Lajme

Bërnjaku ende i bllokuar, shihen flamuj të Serbisë dhe forca të shtuara të Policisë së Kosovës

Foto nga Arkivi i Shqip.com

Pikat kufitare në Bërnjak, vazhdonë të jetë e bllokuar nga serbët lokalë të cilët që nga dje kanë vendosur barrikada në këto dy pikë kalime kufitare.

Shqip.com ju sjell pamje nga rruga që të çon te pikëkalimi në Bërnjak i cili është i barrikaduar me kamionë.

Barrikada rrugës për në Bërnjak

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, e konfirmoi për Shqip.com se barrikadat janë ende të vendosura.

“Gjendja nuk ka ndryshuar, barrikadat janë ende prezentë aty, por të shohim sot gjatë ditës se çfarë do të ndodhë pas vendimit që është marrë. Nuk ka pasur incidente gjatë natës”, tha Hoti.

Barrikada rrugës për në Bërnjak

Në anën tjetër, reciprociteti për letërnjoftime me Serbinë po vazhdon edhe në orët e hershme të mëngjesit.

Flamuri i Serbisë rrugës për në pikëkalimin në Bërnjak

Barrikadat janë vënë më 31 korrik nga serbët lokalë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës për targat e makinave që lëshojnë autoritetet e Serbisë me akronimet e qyteteve të Kosovës dhe dokumentet për hyrje/dalje për qytetarët serbë kur të hyjnë në njërën nga pikat kufitare në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e vendimeve – që ishin planifikuar të zbatoheshin nga 1 gushti – duke thënë se dënon ashpër bllokimin e rrugës në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës në Bërnjak

“Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.

Policia e Kosovës në Bërnjak

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka kërkuar të dielën Qeverisë së Kosovës që të shtyjë për 30 ditë zbatimin e vendimeve.

Qeveria pati vendosur që më 1 gusht do të niste lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Barrikada rrugës për në Bërnjak

Ky dokument do të lëshohej në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të ishte i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Po ashtu të hënën pritej të hynte në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjaste deri më 30 shtator./Shqip.com