Berisha – Vuçiqit: Përgatitu Sllobodan për ndëshkim
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka paralajmëruar Serbinë për krimet e kryera jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, se do të ndëshkohen për to, transmeton Shqip.com.
Kështu tha ai derisa akuzoi kryeministrin aktual të Shqipërisë, Edi Rama, se është shndërruar në një vasal të verbër të Beogradit.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi më tej se dëshiron t’i çojë një mesazh “Sllobodanit të ri, Aleksandar Vuçiq”, që do të njihet i gjithë gjenocidi serb ndaj shqiptarëve nga 1970 deri në 1999, përfshirë gjenocidin e Lumës, i cili është më i egri i Luftës Ballkanike që është dokumentuar.
“Që nga Enver Hoxha deri më sot shqiptarët nuk kanë patur kurrë një kryeministër më antinjerëzor e antikombëtar si Rama. Ky nis mandatin e tretë pasi është shndërruar në vasal të verbër të Beogradit. Një vit më parë, refuzoi të votonte rezolutën që dënonte gjenocidin serb në Kosovë, pasi e urdhëronte padroni i tij Vuçiq”, tha ai.
“Garantoj qytetarët e Lumës dhe dua t’i çoj një mesazh Sllobodanit të ri që do të njihet i gjithë gjenocidi serb ndaj shqiptarëve nga 1970 deri në 1999, përfshirë gjenocidin e Lumës, më të egrin e Luftës Ballkanike që është dokumentuar. Përgatitu Sllobodan, jo vetëm për krimet në Kosovë edhe në Shqipëri do të ndëshkojnë Serbinë për krimet e shëmtuara. Ne do të ngremë zërin dhe do të dënojmë gjenocidin,e bëjmë këtë si kusht i të gjitha kushteve që Ballkani të ketë paqe”, shtoi më tej Berisha nga Kukësi në kuadër të “Foltores për PD-në”, raporton TCh.
Ndërsa e konsideroi Ramën vasal të Beogradit, ai e akuzoi atë se në këto tetë vite nuk ka ndjekur nismën e Berlinit, por të Beogradit.
“Edi Rama në këto 8 vite në vend që të ndjekë nismën e Berlinit që e udhëheq Gjermania, ndoqi nismën e Beogradit. Edi Rama nisma e Beogradit është vasalitet, është armiqësi për Kosovën dhe rrethim i hapur ndaj Kosovës. Ndaj dhe kohërat janë kritike dhe vendimtare”, ka thënë ai. /Shqip.com