Berisha refuzon thirrjen e GJKKO: Po shkelet Kushtetuta. Edi Rama i hapi luftë opozitës!

Ish-kryeministri Sali Berisha refuzon thirrjen e GJKKO për t’u paraqitur para kësaj gjykate në orën 14.00.
Berisha doli në konferencë me gazetarët nga selia e PD pikërisht në orarin që ishte thirrur nga gjykata.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e priste Berishën për ta marrë në pyetje ish-kryeministrin lidhur me procedurat e ndjekura nga ai dhe qeveria që ai drejtonte në kohën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë.
“Siç e dini, Edi Rama i ka shpallur luftë opozitës dhe unë u them demokratëve kudo që janë, se me aktin e fundit, ai ka shpallur një luftë totale, për të cilën ne do i përgjigjemi me të gjithë forcën dhe mundësitë tona. Procesi është procesi më politik i këtij shekulli. Në proces nuk është vetëm Sali Berisha dhe familjarët e tij, jo, absolutisht. Në proces janë reformat epokale të PD-së, të cilat goditen nga një gardë pretoriane, të cilat goditen nga falanga politike krimi, në një analizë që dëshmon urrejtjen e tyre për reformat e tregut të lirë dhe demokracisë që ka ndërmarrë PD në vite. Çdo demokrat duhet të ndjehet krenar me to”, theksoi Berisha.
Megjithatë, lideri historik i demokratëve zbuloi kushtin që ai ka për të shkuar para gjykatës.
“Është ndryshe kjo. Nuk është se unë nuk e pranoj. E deklarova më parë dhe e deklaroj me sinqeritetin më të madh, se unë sa herë të thirrem do të shkojë. Të heq gjykatësi masën antikushtetuese dhe ta provojë a do të shkoj unë apo jo. Por vendosja e masës antikushtetuese pa marrë leje nga parlamenti është përdhosje e kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Se ka një gjykatëse të papërgjegjshme, vasale të mjerë që i lejon vetes një vendim, unë nuk mund ti lejoj vetes të shkel kushtetutën. Që nesër po të sjellin amendamentin e vitit 2012 në parlament, Sali Berisha e voton. Unë jam për barazi të qytetarëve para ligjit themelor të shtetit. E kam dëshmuar që nuk kam qenë për asnjë diskriminim mes deputetit dhe zgjedhësit. Në këtë mënyrë siç i bën Edi Rama është republika e kanabisit, drogës”, tha ai.
Ndërkohë, ekspertët dhe njohësisht e ligjit pretendojnë se GJKKO mund të dalë me vendim për të bërë shoqërimin me forcë pas refuzimit që Berisha i bëri thirrjes së gjykatës.
/Shqip.com