Lajme Botë

“Jam me kancer, ndodhem në spital”/ Si i dha gruaja 830 mijë euro burrit që iu prezantua si Brad Pitt. Zbulohet mashtrimi i madh në Francë

Një grua franceze ka rënë pre e një megamashtrimi. Ajo besonte se ndodhej në lidhje romantike me Brad Pitt dhe kishte paguar 830 mijë euro për ta “ndihmuar” atë në trajtimet mjekësore. 

Anne është kritikuar keq në rrjetet sociale pasi zbuloi rastin gjatë një emisioni të radios franceze të dielën. Duke folur ajo tregon se besonte se ishte në një lidhje online me Pitt që zgjati më shumë se 1 vit. Anne tha se mendonte se ata ishin të dashuruar. Kur personi i prezantuar si Brad Pitt i tha se kishte nevojë për ndihmë financiare për trajtimin e kancerit, sepse llogaritë e tij ishin ngrirë gjatë procedurave të divorcit me Angeline Jolie, ajo i dërgoi paratë. 

Vetëm kur ylli i Hollywood-it u fotografua nga mediat me partneren e tij, Ines de Ramon këtë verë, ajo e kuptoi se kishte rënë në një mashtrim. 

Në fakt, mashtruesi i prezantuar si Brad Pitt kishte krijuar imazhe nga Inteligjenca Artificiale që e tregonin atë në spital dhe i kërkoi asaj para për të kuruar tumorin ne veshka. Ajo i transferoi atij shuma që në total arrijnë 830 mijë euro, të supozuara si fatura për të trajtuar sëmundjen. 

Anne ka ngritur një padi për mashtrim. 

Pas rrëfimit të ngjarjes, gruaja është përballur me një valë tallje masive në rrjet.

/Shqip.com