Lajme

Begaj në takim me Macron: Akti terrorist i 24 shtatorit i papranueshëm

Situata në veri të Kosovës, ka zënë vend edhe në takimin mes presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj dhe atij francez, Emmanuel Macron.

Presidenti Begaj falënderoi Presidentin Macron, për kontributin në mbështetje të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht përmes planit të quajtur franko-gjerman, duke nënvizuar nevojën e mbështetjes së mëtejshme të këtij dialogu, por edhe të nevojës së dënimit dhe të ç’kurajimit të akteve të dhunës dhe të provokimeve në komunat e Veriut të Kosovës.

“Kosova është vend sovran dhe i pavarur, dhe akte terroriste si ajo e Banjskës në Zveçan (24 shtator 2023), janë të papranueshme e të dënueshme për sigurinë e saj, por edhe të rajonit e të mbarë kontinentit evropian”, tha Begaj.

Begaj e konsideroi si një ngjarje historike vizitën e Makron në Tiranë, e para e një Presidenti francez në vendin tonë.

Gjatë takimit kokë më kokë, Presidenti Begaj nënvizoi se kjo vizitë demonstron interesin e përbashkët për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe në drejtim të paqes, sigurisë, dhe zhvillimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Pjesë e bisedimeve me Presidentin Macron ishin edhe integrimi evropian i Shqipërisë dhe zhvillimet në rajon.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen, për mbështetjen e vyer që Franca dhe presidenti Macron i kanë dhënë e i japin procesit të zgjerimit dhe të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Procesit të Berlinit.

Ai gjithashtu vlerësoi iniciativën e ndërmarrë një vit më parë nga presidenti Macron, për lançimin e Komunitetit Politik Evropian, si një iniciativë që i jep më shumë mundësi Shqipërisë dhe vendeve të tjera kandidate në Bashkimin Evropian, të kenë më shumë akses në projektet e BE-së, veçanërisht në fushën e shkëmbimeve universitare dhe studentore.

/Shqip.com