Lajme

BE shpreh keqardhje që Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhje

Bashkimi Evropian
Bashkimi Evropian

Bashkimi Evropian ka thënë se ndjen keqardhje që Lista Serbe nuk e ka shfrytëzuar të drejtën demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës.

“Zgjedhjet janë gur themeli i demokracisë, dhe BE-ja gjithmonë e ka theksuar rëndësinë e gjithpërfshirjes”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që këto zgjedhje të mbahen në kushte paqësore.

Këto zgjedhje janë caktuar të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Atëbotë, për zgjedhjet në veri kanë aplikuar 11 kandidatë, të cilëve u ka vlejtur certifikimi edhe për zgjedhjet e prillit.

Keqardhjen për mospjesëmarrjen e Listës Serbe në këto zgjedhje e kanë shprehur dhe vendet e grupit QUINT – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania.

Përgjatë përgatitjeve për zgjedhje në dhjetor, autoritetet e Kosovës kanë regjistruar disa incidente, siç është pengimi i hapjes së zyrave të Komisionit Qendror Zgjedhor, raporton REL.

Sipas njohësve të çështjeve politike, mosaplikimi i Listës Serbe në këto zgjedhje, e rrezikon mbarëvajtjen e gjithë procesit.

Lista Serbe – e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka rikonfirmuar më 20 mars se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe do ta mbajë këtë qëndrim derisa t’i përmbushen dy kërkesa: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqja e të gjitha njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.

/Shqip.com