Lajme

BE i kundërpërgjigjet sërish Kurtit: S’jemi larguar nga plani franko-gjerman, bisedimet për targat vazhdojnë

Bashkimi Evropian i është përgjigjur kryeministrit Kurti, që gjatë ditës ka deklaruar se shefi i Diplomacisë Evropiane, Josep Borell, e ka braktisur propozimin franko-gjerman.

Në përgjigjen e BE-së, për Shqip.com, theksohet se propozimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ende në tavolinë.

“Çdo pretendim se BE-ja po heq dorë nga propozimi i saj për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili mbështetet nga Gjermania, Franca dhe SHBA-të, janë të pavërteta. BE-ja vazhdon të qëndrojë plotësisht prapa këtij propozimi dhe inkurajon palët të bien dakord dhe t’i dëshmojnë komunitetit ndërkombëtar se janë në gjendje të shkojnë drejt zgjidhjeve evropiane”, tha për Shqip.com, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Stano ka deklaruar se BE-ja do e shfrytëzoj periudhën prej 48 orëve, që Qeveria e Kosovës e vendosi si shtyrje të afatit për fillimin e vendosjes së gjobave, për të gjetur një zgjidhje.

“Ndërkohë, Kosova është pajtuar që të shtyjë vendosjen e gjobave për 48 orë, ne do ta shfrytëzojmë këtë periudhë për të vazhduar bisedimet me të dyja palët, me synimin për të gjetur një zgjidhje. Nëse anëtarësimi në BE është objektivi përfundimtar i Kosovës dhe Serbisë, për të cilin janë përkushtuar të dyja, ne presim që edhe ata të veprojnë në përputhje me rrethanat”, thekson Stano për Shqip.com.

Sipas tij, e rëndësishme është që të shmanget përshkallëzimi, e kjo kërkon veprim të menjëhershëm nga të dyja palët.

“Ajo që është kyçe tani është që të dyja palët të shmangin përshkallëzimin, i cili kërkon veprim të menjëhershëm nga të dyja palët – Kosova të mos fillojë të nxjerrë gjobat dhe Serbia të mos lëshojë targa të reja KM. Nuk mund të ketë negociata për normalizimin e marrëdhënieve me një kërcënim të pranishëm dhunë”, tha për Shqip.com, Peter Stano.

Lexo edhe:
Kurti: Borrell e braktisi propozimin franko-gjerman

Bashkimi Evropian e kishte konfirmuar se dje kishte dështuar të arrihet një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.

Në një konferencë për media pas takimit, shefi i dimplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka dhënë detaje për propozimin e BE-së për zgjidhjen e situatës.

Ai ka thënë se propozimi i vënë në tavolinë, kërkonte nga Kosova që ta suspendojë menjëherë vendimin për moslejimin e përdorimit të tabelave KM, ndërsa Serbisë që të mos lëshoj më tabela me akronimin KM.

/Shqip.com