Sport Shqiptar

Bashkimi e fiton derbin e qytetit të Prizrenit

Bashkimi e ka fituar derbin e Prizrenit në kuadër të Superligës së Kosovës në basketboll. Të dielën mbrëma, Bashkimi fitoi ndaj Ponte Prizrenit me shifrat 81:80. Ndeshja është luajtur para rreth 1500 shikuesve, kurse i ka takuar xhiros së dhjetë. Bashkimi është kthyer te fitorja, ndërsa Ponte ka pësuar humbje pas fitores në udhëtim ndaj Pejës në kuadër të Ligës Unike. Ndeshja ishte e barabartë dhe me fund dramatik. 54 sekonda para fundit, Prentiss Nixon i Bashkimit realizoi për tri pikë për epërsinë 79:77.

Ponte e humbi sulmin pasues, ndërsa Nixon realizoi edhe dy gjuajtje të lira 13 sekonda para fundit, për rezultatin 81:77. Dachon Burke i Ponte Prizrenit realizoi për tri pikë kur mbetën pesë sekonda deri në fund. Kështu rezultati u ngushtua në 81:80. 2.5 sekonda para fundit, Dajuan Graf i Bashkimit kishte dy gjuajtje të lira.

Nuk realizoi asnjërën, por ndeshja përfundoi me 81:80 në të mirë të Bashkimit. Fahro Alihoxhiq ishte më i dalluar te Bashkimi me 19 pikë e tetë kërcime. Prentiss Nixon i kishte 17 pikë, katër asistime e tri kërcime. Daniel Lekndreaj shënoi 11 pikë e 13 kërcime. Ivan Koleviq e Urim Zenelaj u dalluan te Ponte Prizreni. Koleviq e mbylli ndeshjen me 16 pikë, dy kërcime e dy asistime. Zenelaj i kishte gjashtë pikë, por shtoi 11 kërcime. Më efikasi ishte Burke me 23 pikë.

Wayne Arnold shtoi 17 pikë. Bashkimi i ka 14 pikë, përkatësisht katër fitore e gjashtë humbje. Ndërkohë Ponte ka pësuar humbjen e pestë, kurse i ka edhe tri fitore. Ka luajtur më pak se skuadrat tjera deri më tani.

“Nëse nuk shënon, atëherë pëson. Bashkimi realizoi një gjuajtje të vështirë. I përgëzoj basketbollistët tanë për ndeshjen. Në derbin e qytetit rivaliteti nuk mungon. Kaq mundëm për sot. Ishte një festë basketbolli. Nuk më mbetet asgjë pos të uroj Bashkimin dhe trajnerin Edin Kërveshi”, ka thënë trajneri i Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati. Te Bashkimi e kanë vlerësuar të vështirë fitoren. “E kemi ditur se do të jetë shumë vështirë. Ne deri në fund po shtyhemi me ekipet dhe në fund po humbim. Sonte ishte fati në anën tonë dhe korrëm fitore”, ka thënë Kërveshi.

/Shqip.com