Sport Shqiptar

Ballkani synon rezultat pozitiv, pavarësisht mungesave

Ballkani e zhvillon sot ndeshjen e radhës (të tretën në fazën e grupeve) në Ligën e Konferencës.

Kampionët e Kosovës janë mysafirë të skuadrës turke Sivasspor, ndërsa ndeshja fillon në orën 18:45, shkruan Shqip.com.

Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja synon rezultat pozitiv, pavarësisht faktit se do të paraqitet pa disa futbollistë shumë të rëndësishëm.

Daja nuk do të mund të llogaritë në Edvin Kuç, Nazmi Gripshi, Leonit Abazi, Rustem Hoxha të gjithë të lënduar, pastaj Leotrim Bekteshi  nuk është 100 për qind i gatshëm për lojë.

Sipas të gjitha gjasave as ai nuk do të mund të luajë fare, ose vetëm pak minuta në pjesën e dytë, ndërsa mbrojtësi Astrit Thaqi mungon për shkak të kartonit të kuq.

Pas dy ndeshjeve të para në Grupin G, Ballkani renditet në pozitën e tretë me një pikë (ka barazuar me CFR Cluj të Rumanisë) dhe ka pësuar humbje nga Slavia Prague e Çekisë.

Një pikë e ka edhe skuadra rumune (CFR Cluj), ndërsa Slavia dhe Sivasspor i kanë nga katër pikë.

/Shqip.com