Lajme

Ballkani i Hapur: Vuçiq dhe Zaev mysafir në Shqipëri, pritet të nënshkruhen disa marrëveshje

Tre liderë të Ballkanit Perëndimor - Edi Rama, Aleksandar Vuçiq, Nikolla Dimitrov

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, do të jetë vendi ku do të mbahet takimi i radhës së Ballkanit të Hapur ku do të nënshkruhen disa marrëveshje.

Marrëveshja e parë që do të nënshkruhet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev është për kushtet për qasjen e lire në tregun punës.

Marrëveshjet e tjera kanë të bëjnë me: skemat e përbashkëta për identifikimin elektronik të qytetarëve në pikat kufitare,  për bashkëpunimin në fushën e sigurisë ushqimore, për njohjen e ndersjelltë për operatoret ekonomi, përcjell Shqip.com.

Kryeministri Rama do t’i pres më 20 dhe 21 dhjetor kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Për dy ditë me radhë liderët e tri shteteve të përfshira në këtë proces, do të zyrtarizojnë këtë iniciativë që synon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve duke nënshkruar pesë marrëveshje.

Kryeministri Zaev dhe presidenti Vuçiq do të shoqërohen nga disa ministra të tyre dhe krerët e dhomave të tregtisë së vendeve të tyre do mbërrijnë në Tiranë pasditen e të hënës.

Sipas agjendës, parashihet që më 20 dhjetor të shtrihet një darkë zyrtare në një resort në qytetin e Elbasanit. Në po të njëjtin vend ishte zhvilluar mbledhja e dy qeverive Shqipëri-Kosovë.

Ballkani i Hapur

Të pranishëm do të jenë përfaqësues të Këshillit Atlantik, Jim O’Brien si dhe Alex Soros, drejtuesi i fondacioni Shoqëri e Hapur.

Në ditën e martë takimi do të nis në orën 9:00 në pallatin e Brigadave.

Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë do t’i bashkohet përmes linjës online, komisioneri për zgjerim Oliver Varhely si dhe drejtori i Ceftes, Emir Djikic. Gjithashtu, e pranishme do të jetë edhe Majlinda Bregu si Sekretarja e përgjithshme e Këshillit i Bashkëpunimit rajonal.

Takimi i Tiranës mbyllet me konferencën e përbashkët për shtyp të tre liderëve.

Në Beograd më 4 nëntor, ishte mbajtur takimi i fundit i udhëheqësve të nismës rajonale për bashkëpunim “Ballkani i hapur”.

Theksojmë se ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka paralajmëruar protestë kombëtare përballë kryeministrisë në ditën e parë të takimit të Ballkanit të Hapur..

Sipas Berishës kjo protestë do të bëhet kundër Ballkanit të Hapur dhe siç e quan ai “paktit antikombëtar Rama-Vuçiq”.

Nisma për bashkëpunimin rajonal “Ballkani i hapur”, e cila përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është marrë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në tetor të vitit 2019.

Nisma fillimisht është quajtur “Mini Schengen” dhe ajo parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve.

Në korrik të këtij viti, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri, “Ballkani i hapur”./Shqip.com