Sport Shqiptar

Ballkani fitues i Superkupës së Kosovës

Ballkani është fitues i Superkupës së Kosovës në futboll. Skuadra kampione në fuqi, sot, në ndeshjen e zhvilluar në Antalia të Turqisë, e ka mundur Llapin me rezultat 1:0.

Nga minuta e 28-të e ndeshjes, Llapi mbeti me një futbollist më pak në fushë, pasi Bekim Maliqi u ndëshkua me karton të kuq, pas dy të verdhëve në ndërhyrjen ndaj Nazmi Gripshit.

Skuadra nga Suhareka nuk ia doli ta shfrytëzonte këtë epërsi numerike në pjesën e parë, por e bëri në të dytën.

Ishte minuta e 62-të e takimit, kur Armend Thaqi e gjeti për mrekulli Lumbardh Dellovën, që realizoi me kokë për 1-0.

Duke qenë në avantazh si me rezultat por edhe në aspektin numerik, Ballkani e dominoi takimin deri në fund, derisa Gripshi lëshoi një mundësi të mirë shënimi.

Suharekasit lëshuan edhe raste të tjera shënimi, por që në fund ia dolën ta ruanin epërsinë, për ta fituar trofeun e parë për vitin 2023.

Në sekondat e fundit të takimit pati përplasje mes të dyja kampeve, por që kaloi shpejt, me gjyqtarin që e mbylli ndeshjen menjëherë.

Kujtojmë se Llapi ishte fitues në fuqi i Superkupës së Kosovës.

/Shqip.com