Lajme

Azemi paralajmëron grevë dhe protestë për sektorin privat

Ilustrim

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se tanimë janë në përgatitjet e tyre të fundit për të hyrë në grevë.

Ai tha se kryeministri, Albin Kurti është duke bërë skema teatrale dhe nuk “lodhet” për t’i dëgjuar ata.

“Ne me datën 20 vetëm se e kemi paralajmëruar grevën, por që tashmë jemi në përgatitje, pasi situata aktuale nuk është e mirë. Po shihet ai çka është duke i bërë sektorit publik, e më neve nuk lodhet për këtë punë. Diçka nuk është në rregull me të. Ne kemi me hy në grevë, mirëpo kur të shohim sinjale pozitive.  Nga njëherë duhet me u pajtu me realitetin se ki një kundërshtar të padisiplinuar, që din me ba vetëm skema teatrale dhe dërgon vendin në shkatërrim e sipër”, tha ai për SHQIP.com.

Ai tha se nëse organizohet ndonjë protestë nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës do të marrin pjesë.

Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi

“Jemi duke parë veprimet e BSPK-së dhe ne atë protestë kuptohet që do të jemi edhe ne me të gjithë punëtoret e sektorit private”.

Ai tutje, tha se vetëm në këtë vit Qeveria ka dëmtuar 3 herë sektorin privat.

Vetëm në këtë vit,  Qeveria e Kosovës na ka dëmtuar 3 herë radhazi ne punëtorëve të sektorit privat. Sipas të gjitha gjasave, kryeministri Kurti dhe ministri i financave Murati, bënë një lojë kur thanë se janë duke i stimuluar të gjithë punëtorët e sektorit privat me nga 50 euro, në qoftë se kompanitë privat e bëjnë të njëjtën gjë”, tha Azemi për SHQIP.com

Ai tha se Kurti është duke bërë diferencime të mëdha në mes të sektorit publik dhe ati privat me pakot që po prezanton./SHQIP.com