Lajme

Azemi: Kurti është kryeministër i imi, kurrë nuk kam për të kërkuar shkarkimin e tij

Albin Kurti dhe Jusuf Azemi.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka thënë se kurrë nuk do të kërkojë shkarkimin e Kurtit.

Ai ka thënë se këtë s’do ta bëjë edhe pse nuk është ftuar asnjëherë për të diskutuar në lidhje me ndihmën në kuadër të pakos për përballjen e inflacionit.

“E bënë një stimulium 50 euro për kompanitë, kam pasur dëshirë që të keni bërë gabim teknik dhe për tre herë radhazi kemi thënë kryeministrit po na duhen 100 euro edhe së paku ato 50 euro që keni premtuar. Nuk kemi dialog social, Albin Kurti është kryeministër i imi, dhe jemi prezent kur them se kurrë nuk kam për t’a kërkuar shkarkimin e tij dhe nëse ju e kërkoni, ne kemi me mbajt se nesër ndoshta vepron pozitivisht. Ne na duhet një ministër që punon pak më gjatë në disa çështje që i kemi në rend”, ka deklaruar Azemi.

Ai ka thënë se kërkon nga Kurti që të realizojë të pakën 30 për qind të atyre që ka premtuar.

“Kur ne kërkojmë që një pjesë e trustit të paguhet jeni shumë dorështrënguar. Ju lutemi, ne nuk i kemi pagat 2-3 mijë euro po nga 170 euro dhe po na kritikoni se duan të rrëzojmë Kurtin. Jo. Ne duam të bashkëpunojmë me të dhe të realizoni të paktën 30 për qind të atyre ç’ka keni premtuar përgjatë fushatës”, ka deklaruar ai.

Ndër të tjera, ai ka thënë se ndonëse ishte premtuar të vendosej në opinion publik, Ligji i Pagave nuk ka për të filluar implementimin e tij deri në vitin 2024 dhe sipas Azemit, një gjë të tillë e dinë të gjithë./SHQIP.com