Avdyli: “Guxo” është regjistruar si iniciativë në KQZ
Deputeti i Listës “Guxo”, që është në grup parlamentar me Lëvizjen Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, ka thënë se “Guxo” është regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si iniciativë.
“Është regjistruar iniciativa e Listës Guxo në KQZ. Pak jemi vonuar, por në të njëjtën kohë nuk e shohim si handikap, por si përparësi. Ne do të fitojmë shumë më shumë pushtet për këta aktivistë tonë që ne i respektojmë shumë, por në të njëjtën kohë presim mirëkuptim”, tha Avdyli në T7.
Kjo deklaratë e tij erdhi në një kohë kur janë përhapur zëra brenda Listës Guxo për mosbashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet lokale.
Vetë, ushtruesja e detyrës së kryetares së kësaj liste, Donika Gërvalla, ka thënë të martën se në zgjedhjet e 17 tetorit “do të bashkëpunojnë me subjektin politik që drejtohet nga Albin Kurti”.
“Guxo”, kishte garuar më 14 shkurt bashkë me Lëvizje Vetëvendosje.
Fituan shtatë deputetë dhe morën postin e Presidentit, dy poste ministrore e një zëvendëskryeministre. /Shqip.com