Ekonomi

ATK inkason mbi gjysmë miliard euro

Administrata Tatimore e Kosovës
Administrata Tatimore e Kosovës

Administrata Tatimore e Kosovës ka arritur deri tash të inkasojë të hyra tatimore mbi gjysmë miliard euro.

Derisa sfidë mbetet inkasimi i tatimeve në katër komunat veriore.

Kështu ka thënë për KosovaPress drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj i cili ka komentuar edhe shifrat e punësimit në vend, për sektorin publik dhe privat, që aktualisht ka arrit në 362 mijë e 622 punëtorë ose 18 mijë më shumë se në vitin 2020.

Sa i përket të hyrave nga tatimet, Murtezaj tregon se në periudhën janar-tetor, ATK ka inkasuar 506 milionë euro.

“Sa i përket të hyrave tatimore, deri sot kur po flasim rezulton që kemi arritur tejkalojmë shifrën e gjysmë miliardi euro ose 506 milionë euro, shumë kjo e cila nëse bëjmë krahasim me vitin 2019 që ka qenë në vitin më stabil, ne tani kemi tejkaluar totalin e të hyrës së realizuar në vitin 2019 që kanë qenë 504.2 milionë euro. Jemi në rrugë të mirë në realizim të objektivave dhe tejkalimit të parashikimit të të hyrave”.

“Synimet tona janë që krahas inkasimit të të hyrave të krijojmë edhe një barazi, që të kemi treg lojal”, ka deklaruar Murtezaj.

Derisa për luftimin e informalitetit në veri të Kosovës, ai ka thënë se përkundër sfidave të shumta, ATK në vazhdimësi zhvillon aktivitete në atë pjesë.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj.

“Në pjesën veriore është një sfidë më e theksuar në realizimi të misionit të ATK-së, por ne së bashku me stafin të cilët janë të komunitetit serbë që veprojnë në atë pjesë bëjnë përpjekje të vazhdueshme që të luftojnë informalitetin edhe në pjesën veriore”.

“Të dhënat tona tregojnë se kemi tatimpagues të cilët respektojnë ligjet tatimore të Kosovës dhe vazhdojnë të deklarojnë dhe paguajnë tatime në vazhdimësi. Mirëpo, sigurisht që ka edhe të dhëna të tjera të cilat dëshmojnë se ka informalitete dhe në pjesën veriore”, theksoi ai.

Policia e Kosovës, ditës më parë së bashku me Doganën e Kosovës kishin ndërmarrë një aksion për luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës në veri.

Janë arritur të konfiskojnë. mallra të kontrabanduara.

Për shtimin e punësimit, Murtezaj ka thënë se për këtë deklarim të numrit të të punësuarve në ATK, kanë ndikuar disa faktorë që duhet analizuar.

Krahas iniciativës qeveritare për nxitje të formalizimit të punësimit, ai thekson se në kuadër të tri masave që burojnë nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike ndaj COVID-19, kanë përfituar 9 mijë e 968 të punësuar.

“Edhe ne si institucion kemi zhvilluar aktivitete në vazhdimësi në terren për të identifikuar të punësuarit të cilët kanë qenë duke punuar dhe të pa formalizuar, pa kontrata. Si rezultat i kësaj gjatë periudhës janar-shtator kemi identifikuar diku 2 mijë e 746 të punësuar të cilët veç kanë qenë duke punuar, por kanë qenë pa kontrata pune”.

“Të gjitha këto bëjnë që në një farë mënyre kemi rritje të të punësuarve në kuadër të luftimit të informalitetit në këtë rast, por në të njëjtën kohë nëse i referohemi edhe të dhënave tjera që i kemi dhe bëjmë krahasime për shembull me periudhën shtator-2021, numri i të punësuarve të deklaruar në ATK është 362 mijë e 622 punëtor”.

“Dhe nëse e krahasojmë me janarin e po të njëjtit vit, që është 344 mijë 452 punëtorë, rezulton që kemi diku mbi 18 mijë punëtorë më tepër të deklaruar në kuadër të të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovë”.

“Ky numër prej 18 mijë sigurisht se nevojiten informata nga terreni duhet të nxjerrë atë që po kërkoni ju, se sa në kuadër të këtyre 18 mijë janë punëtorë që vërtet kanë”. hyrë në punë dhe sa janë ata që janë formalizuar”, theksoi ai. /Shqip.com