Ekonomi

ASK: Rritja e çmimeve të konsumit në 7.5 për qind

Çmimi i vajit

Çmimet e konsumit kanë pësuar një rritje prej 7.5 për qind në shkurtin e këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregojnë se rritje më të lartë të çmimeve kanë pësuar: vajrat, buka, mishi e prodhimet e qumështit.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë tek: bukë dhe drithëra (15.7%); mish (8.6%); qumësht, djathë dhe vezë (11.1%); vajra dhe yndyra ushqimore (32.1%); perime (13.8%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (11.3%); prodhime të ndryshme ushqimore, salca, erëza, kripë, ushqim për fëmijë etj. (6.5%)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Në muajin shkurt, prodhimet ushqimore bazë kanë shënuar rritje edhe në krahasim me muajin janar, me 1.1 për qind.

Rritje, sërish është reflektuar tek produktet si: mishi, qumështi, djathi, vezët e vajrat.

Qytetarët janë duke u përballur me ndryshime të çmimeve brenda ditës, ku si fillim çmimi i vajit ishte 1.89, më pas u shtrenjtu në 2.29 dhe së fundmi në 3.49 euro.

Si rrjedhoj e kësaj, ditën e enjte Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka marrë aksion në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, kanë mbyllur përkohësisht dy depo të operatorëve ekonomikë (në Fushë Kosovë dhe Graçanicë).

Lexo edhe:
Mashtrimi me çmime, Inspektorati i Tregut dhe Policia e Kosovës mbyllin dy depo