Lajme

Arrestohet një rreshter policor në Pejë – dyshohet për dhunim, shantazh e fotografim dhe incizim të paautorizuar

Inspektorati Policor i Kosovës

Inspektorati Policor i Kosovës njofton se ka arrestuar të premte mbrëma një zyrtar policor pasi dyshohet për veprat penale “dhunim”, “shantazh” dhe “fotografim dhe incizim i paautorizuar”.

Sipas njoftimit, i dyshuari është zyrtar policor me gradën e rreshterit në stacionin policor në Pejë.

“Bazuar në dëshmitë dhe provat e mbledhura hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot në orët e mbrëmjes zyrtarin policor të përfshirë në këtë rast me dyshimin se i njëjti ka kryer vepër penale dhe atë nga neni 227, 329 dhe 202 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.

Në Kodin Penal të Kosovës, veprat penale 227, 329 dhe 202, janë dhunimi, shantazhi dhe fotografimi dhe incizmet e tjera të pautorizuara.

Në vazhdën e veprimeve hetimore, IPK-ja njofton se operacioni ka vazhduar me bastisje në Pejë bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Pejë ku janë gjetur dhe sekuestruar prova të ndryshme.

“Të dyshuarit të arrestuar në këtë rast me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”.

“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”./SHQIP.com