Arrestohet 18-vjeçari në Gjilan, plagosi një punëtore dhe kreu dy grabitje
Një 18-vjeçar është arrestuar të martën në Gjilan pasi që dyshohet se ka kryer dy grabitje me armë zjarri në dy lokale të ndryshme, njofton Shqip.com.
Përmes një komunikate, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të hënën, i dyshuari nën kërcënim të armës ka arritur të marrë një sasi të konsiderueshme të hollash në një lokal të këmbimit të valutave dhe ka shtënë në drejtim të punëtores e cila ka pësuar lëndime trupore.
Tutje, PK ka njoftuar se të martën, i dyshuari prapë ka kryer veprën penale “grabitje”, ku nën kërcënim të armës pasi ka shtënë dy herë në ajër ka arritur që t’i marrë një sasi të konsiderueshme të parave.
“Policia e Kosovës , Njësitet e hetimeve të Policisë së Kosovës stacioni policor në Gjilan, pas një pune mirë të organizuar operative kanë arritur të arrestojnë të dyshuarin mashkull shtetas të Kosovës L.Z. (2003) me banim në Gjilan i cili dyshohet të jetë i përfshirë në dy rastet e grabitjes”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Policia njoftoi se me vendim të Prokurorit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, kurse si provë materiale është konfiskuar arma e përdorur gjatë grabitjes./SHQIP.com