Lajme

Arifi: Kurti po don të bëhet si Tito

Shqiprim Arifi- Kryetar i Luginës së Preshevës

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arif ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po don të bëhet si presidenti i ish-Jugosllavisë Josip Broz Tito.

Në një emision në Tëvë1, Arifi tha se Lugina e  Preshevës është dashur të trajtohet në mënyrë specifike.

“Lugina e Preshevës ish dashur të trajtohet në mënyrë specifike, jo të gjeneralizuar me minoritetet tjera në Serbi. Pakicat tjera kanë qeveri që përkujdesen s’kanë nevojë për Kosovën. Bullgarët e kanë Bullgarinë, hungarezët e kanë Hungarinë, boshnjakët e kanë Bosnjën, kroatët e kanë Kroacinë. Çka po bën ky qetash? Ky si Tito qetash po do të bëhet. Unë për krejt po përkujdesem, rri këqyrna veç neve në Luginë mas pari”, tha Arifi.

Bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën është i mundur sipas kryetarit të Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

Ai ka treguar tri kushte për mundësinë e bashkimit të asaj treve me Kosovën.

Mirëpo, Arifi të rëndësishme e konsideron të ketë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

“Shkëmbimin e territoreve, e kam vendosur gjithmonë në tre kushte. Mirëpo, me tre kushte, e para, në qoftë se vlen për komplet Luginën e Preshevës, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, në kufijtë kadastrale të tyre. E dyta, në qoftë se nuk ndahemi në gjysmë, një pjesë të shkojë me Kosovën, e një pjesë të mbesë në Serbi. Ndërsa, i treti kusht ka qenë në rast që ndërkombëtarët janë dakord me këtë. Për ne është vitale ta kemi mbështetje ShBA-në dhe BE-në”, deklaroi Arifi në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Andaj, Arifi tha se ideja ka qenë që Lugina e Preshevës të përfshihet në Republikën e Kosovës

Po ashtu gjatë këtij emisioni, Arifi ka ripërsëritur deklaratën e tij se Kurti, është jo-zyrtarisht person “non grata”.

“Unë e them shumë ftohtë, ky person është vetëm jo-zyrtarisht person ‘i padëshiruar’ në latinisht ‘non-grata’, ‘i padëshiruar’, edhe atë e shihni ju vetë. Unë jam shumë i saktë në atë që po them, jo-zyrtarisht”, tha Arifi.

Më tej Arifi ka treguar se nga Qeveria e Kurtit II, nuk është takuar asnjëherë me krerët e shtetit, madje as nuk ka komunikuar, raporton Tëvë1.

“Kurtin e kam takuar kur ka qenë në Kurtin I, por komunikim kemi pasur pandërprerë, sidomos me Albinin por edhe me Glaukun në kohë pandemie. Në Qeverinë Kurti II, nuk kemi pasur hiç asnjë komunikim”.

Ndërsa, për kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, Arifi thotë është ndryshe nga bashkëpartiakët e tij.

“Me Glaukun kam pasur komunikim kur është formuar Kurti II, kemi pasur takim, kur është pas zgjedhur kryetari i Parlamentit, e kemi pas një takim. Ka qenë një takim njoftues me Glaukun se kah është duke shkuar uji dhe unë kam kërkuar atë. Mua më duket Glauku pak më ndryshe nga të tjerët”, tha mes tjerat kryetari i Preshevës.

Kryetari i Preshevës thotë që ka informacione, prej të cilave thotë që për herë të parë Qeveria e tashme nuk është në vijë të përbashkët me ShBA-në dhe BE-në.

/Shqip.com