Kulturë

Arif Molliqi boton romanin dokumentar “Arkivi i letrave të djegura”

Këto ditë u botua romani i ri i shkrimtarit Arif Molliqi me titull: “Arkivi i letrave të djegura”, që vjen nën kujdesin e shtëpisë botuese “Armagedoni”, me seli në Prishtinë.

“Në këtë roman jam munduar të shprehi një pakënaqësi; pse arkiva e qytezës time është djegur tri herë në tri periudha kohore. Jam munduar të shprehi edhe mllefin e qytetarëve ndaj punës së politikanëve dhe pushtetarëve në shkatërrimin e historisë dhe kulturës së qytetit. Prandaj, lexuesi këtë prozë mund ta quaj edhe roman dokumentar, sepse jam munduar ta bëj bashkë letërsinë dhe historinë. Jam munduar të tregoj çfarë ka ndodhur dhe çfarë ka mundur të ndodhë nëpër periudha kohore në qytezën time, por edhe përtej”, ka thënë shkrimtari Arif Molliqi për Shqip.com.

Në këtë roman ka histori, ka rrëfime dhe dëshmi të dëshmitarëve, ka letra të shpëtuara nga djegia e arkivit, ka dosje, ka gjykime të personazheve të romanit në kohë të ndryshme. Gjithashtu, në roman ka dashuri, intriga, politikë…

Tutje, sipas autorit, përpos këtyre pyetjeve të panënkuptuara, në këtë roman me ngjarje historike mësojmë për luftën dhe për pasluftën. Mësojmë për shumë ndodhi dhe mbrapshti që kanë ndodhur duke e keqpërdor betejën e Fushë-Kosovës nga serbët, mësojmë për ato mbrapshti që kanë ndodhur në Manastirin e Deçanit.

Prandaj, sipas autorit, brenda atyre mbrapshtive gjejmë disa personazhe që mundohen për ta penguar zbulimin e asaj që është djegur në arkiv. Dhe, vjen pyetja: pse i shqetëson ata persona se çfarë pune bën protagonisti kryesor në arkiv?  Pse interesohen për punën e tij? Kush përpiqet ta frikësojë? A mos është biografia e tyre ajo që i ka shtyrë ta djegin arkivin? Për të mos u zbuluar kurrë biografia e tyre…

Përveç se romani “Arkivi i letrave të djegura” ka prolog dhe epilog, në tërësi ka një strukturë lineare. “Struktura narrative e romanit zhvillohet e vendosur mbi dy linja paralele. Linja e parë rrjedh nëpër kërkimet e autorit duke u munduar të gjej në arkiv atë që ka ndodhur në qytezë, duke biseduar më dëshmitar që e kanë njohur kohën.Linja tjetër rrjedh nëpër biografitë e atyre që e kundërshtojnë gjetjen e së vërtetës. Shpesh ato kundërshti duken si fiksione”, vijoi tutje Molliqi për Shqip.com.

Romani “Arkivi i letrave të djegura”, rrëfen ngjarje tronditëse dhe prekëse të ndodhura jo vetëm në qytezën rrëzë bjeshkëve, por në gjithë rajonin. “Historia e kësaj qyteze, që dikush mundohet ta varros, do t´iu pasuroj më shumë ngjarje që kanë ndodhur nëpër kohë. Një nga gjërat që do t’iu  pëlqej  në këtë roman, është historia shpeshherë e dokumentuar, është sfondi kulturor dhe prozaik që përfshin romani. Janë faktet dhe të dhënat që mendoj se mundohem t’i sjell lexuesit për ta njohur qytezën dhe kohën e saj”, ka thënë ai.

Duke e lexuar këtë roman, sipas autorit, do ta përjetoni ose mësoni për jetesën e atij vendi dhe vuajtjet që i ka përjetuar ai popull më dekada më radhë.

/Shqip.com