Lajme

Apeli hedh poshtë ankesën e Thaçit në lidhje me vazhdimin e paraburgimit

Ish - presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është vazhduar paraburgimi në Dhomat e Specializuara.

Gjykata e Apelit në Speciale ka hedhur poshtë ankesën e Thaçit kundër vendimit të Gjykatësit të Procedurës Paraprake, në të cilën urdhërohet vazhdimi i paraburgimit të Thaçit.

Sipas Panelit të Apelit ekziston rreziku që Thaçi të arratiset apo ndërhyjë në drejtësi.

“Më 22 gusht 2022, Paneli i Gjykatës së Apelit hodhi poshtë apelin më të fundit nga Hashim Thaçi kundër vendimit të Gjykatësit të Procedurës Paraprake, në të cilin urdhërohet vazhdimi i paraburgimit të tij”, thuhet në njoftimin nga Dhomat e Specializuar.

Thaçi gjendet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Ish-presidenti i Kosovës akuzohet për “krime lufte”, ndërkaq aktakuza iu konfirmua në tetor 2020.

Pas ngritjes së aktakuzës, Thaçi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit, post që e mbante nga viti 2016-të.

Po atë ditë u dorëzua në EULEX e pastaj për t’u transferuar në Hagë bashkë me Kadri Veselin e Rexhep Selimin. /Shqip.com