Lajme Ballkan

Ambasadori rus në Serbi: Kërkesa e Prishtinës që Beogradi t’ia njeh pavarësinë është e pakuptimtë

Ambasadori i Federatës së Rusisë në Beograd, Aleksandër Boçan Kharçenko

Kërkesa e Prishtinës që Serbia ta njohë Kosovën është “marrëzi” dhe kushdo që e kupton realitetin e di se është e pamundur, ka thënë ambasadori rus në Beograd, Aleksandër Boçan Kharçenko.

Ai në një ligjëratë online me temë “Partneriteti strategjik ruso-serb dhe situata në Ballkan” ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet të bëjë presion mbi Kosovën që të zbatojë të gjitha dispozitat e marrëveshjeve të nënshkruara, raporton N1, transmeton Shqip.com.

Në veçanti ka kërkuar që Kosovës t’i bëhet presion për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilën Rusia insiston, sepse “kjo është mënyra më e rëndësishme dhe e vetmja për të vazhduar dialogun”.

“Ne mbështesim dialogun, nuk ka rrugë tjetër. Nuk jemi të kënaqur me gjendjen e dialogut dhe mungesën e progresit”, ka thënë Boçan Kharçenko.

Duke komentuar integrimin evropian të Serbisë, ai ka thënë se nga Rusia nuk kanë ardhur ndonjëherë fjalë apo deklarata kundër atij procesi, ndërsa “nga BE-ja shpesh kanë ardhur mesazhe se Rusia po e pengon rrugën e Serbisë”.

Ambsadori rus më tej ka shtuar se Rusia mbështet neutralitetin e deklaruar ushtarak të Serbisë, sepse “kjo siguron stabilitet dhe është me vendosmëri kundër anëtarësimit në Aleancë, veçanërisht kur bëhet fjalë për Bosnjën dhe Hercegovinën”.

Gjendjen e marrëdhënieve politike ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, Boçan Kharçenko e ka cilësuar si më se të kënaqshme, sepse “ato kanë karakter strategjik”.

“Serbia i bashkohet OKB-së së bashku me Rusinë dhe gjithmonë e mbështet atë në parandalimin e rezolutave të ndryshme që përpiqen të rishikojnë historinë, mbrojnë parimet e OKB-së dhe nuk pajtohen me shpikjen e rregullave të bëra nga disa vende, që këto rregulla të përcaktojnë ligjin dhe aktivitetet ndërkombëtare në vend të Kartës së OKB-së.” 

“Ai bashkëpunim miqësor dhe vëllazëror është edhe për çështjen e Kosovës”, ka theksuar ai./SHQIP.com