Lajme

Ambasadori Rohde: Gjermania ka avokuar fuqishëm për liberalizimin e vizave

Gjatë ditës së sotme është aprovuar qëndrimi i Këshillit të Bashkimit Evropian për heqjen e vizave për Kosovën, më së largu deri më 1 janar të vitit 2024. Me këtë rast ka reaguar ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Ai përmes twitterit ka thënë se Gjermania është angazhuar fuqishëm për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Më në fund. Një vendim i tejzgjatur për të cilin Gjermania ka avokuar fuqishëm”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Kujtojmë, se paraditën e sotme ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar që t’ia japin mandatin Këshillit të BE-së për të negociuar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës, sipas propozimit të Këshillit, do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.

Në rast se ky sistem nuk hyn në fuqi, atëherë data e fundit e heqjes së vizave për kosovarët do të jetë më së largu më 1 janar 2024.

/Shqip.com