Lajme

Ambasadori kinez në Serbi flet për përshkallëzimin e mundshëm të situatës në Kosovë

Ambasadori kinez në Serbi, Li Ming, duke komentuar ngjarjet e fundit në Kosovë, siç është vendimi i Bankës Qendrore për ndalimin e dinarit, ka thënë se Kina beson se “çdo veprim i njëanshëm mund të çojë në përhapjen e panikut dhe përshkallëzimin e tensioneve”, duke shtuar se të gjitha pakicave etnike duhet t’u garantohen të drejtat, duke përfshirë dhe serbët në Kosovë.

Li Ming ka thënë për televizionin publik serb RTS se ata kanë ndjekur ngjarjet e fundit në Kosovë dhe se “janë të shqetësuar për këto ngjarje”. Ai vuri në pah një gjë të dukshme tashmë, se Kina dhe Serbia janë miq shumë të mirë, sepse thotë se kanë përvojë të ngjashme historike.

“Ne besojmë se çdo veprim i njëanshëm mund të çojë në përhapjen e panikut dhe të çojë në një përshkallëzim të tensionit, i cili nuk është në interes të asnjërës palë pjesëmarrëse në mosmarrëveshje, as në interes të paqes në rajon dhe stabilitetit. Ne besojmë se të gjitha grupet etnike dhe të duhet të respektohen dhe garantohen, duke përfshirë edhe komunitetin serb dhe për këtë arsye shpresojmë që Marrëveshja e Brukselit dhe themelimi i Asociacionit do të mund të zbatohet”, ka thënë ai.

Li Ming ka pretenduar se marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhet me dialog, konsultime, “në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara” dhe se në këtë proces “duhet të respektohet plotësisht sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i Serbisë”.

Duke komentuar takimin e djeshëm me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Li Ming thotë se ka pasur një takim “të shkëlqyer me Vuçiqin, ku janë shkëmbyer mendime dhe ide për marrëdhëniet dypalëshe, si dhe për çështje që kanë të bëjnë me interesat e përbashkëta dhe shqetësimet kryesore të dy vendeve”.

“Kina dhe Serbia janë miq shumë të mirë sepse kemi përvojë të ngjashme historike, ne po luftojmë për sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë tonë. Kemi krijuar besim të thellë politik. Kina dhe Serbia e kuptojnë njëra-tjetrën dhe e mbështesin njëra-tjetrën”, tha ai.

/Shqip.com