Lajme

Aleksandër Lumezi kërkon të hetohen prokurorja dhe mbrojtësi i viktimave për rastin e gruas në Llaushë

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Ismet Ujkani, që t’i shqyrtojë të gjitha veprimet e prokurores së rastit të tashmë të ndjerës, L.Q, nga Llausha e Skenderajt e cila u vra nga bashkëshorti i saj.

Përmes një komunikate për media nga zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, thuhet se do të ndërmerren masat e nevojshme ndaj prokurores, varësisht prej të gjeturave.

“Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, si autoritet kompetent, që të shqyrtojë të gjitha veprimet e prokurores lidhur me rastin e viktimës L.Q nga Llausha e Skenderajt dhe nga të gjeturat eventuale t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër, edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një shkrimi në Facebook, ka kërkuar që të merren masa ndaj prokurores kujdestare dhe Mbrojtëses së Viktimave.

Sipas Haxhiut, “asnjëra nuk i ka kryer detyrat prandaj duhet të ndërmerren masa urgjentisht!”.

Të mërkurën e 5 janarit, Skender Qerimaj ka shtënë me armë zjarri në drejtim të bashkëshortes së tij, Lirije Qerimaj, e cila pas plagëve të marra ka ndërruar jetë./Shqip.com