Kulturë

Albana Beqiri / N’fillim nuk u tha fjala

Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare
Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare

N’FILLIM NUK U THA FJALA

N’fillim nuk u tha fjala,
ajo nuk ishte e para
veç nata lshoi kudo çarçafin e saj
të zi.

Bashkë me qyqen që vajtoi
tej dritares,
ulun galiç mbi pemën e trishtimit
ra edhe heshtja.

E randë, e përvajshme si nji ditë
me shi!

Askush nuk trokiti n’derë,
por vetmia cijati brenda shpirtit
e nji za (i jemi noshta) klithi dhemshëm:
erdh vdekja!

Nuk dihej a po vinte vërtet.

Para saj kish marrë n’thue e shpirtin
e para e kish gllabnue friga!

E nata, nata ish ende aty
si nji trup i terruem e i pajetë
veshun me fustanin e zi të dhimtës
që zemrën e kish godit pa da
me mija thika.

N’fillim heshtja u shtri
mbi natën e sterrume, dhe qau
qau bashkë me qyqen që aj ish tue vajtue.

Nuk dihej se kënd, veç nji hanë e përgjakun
prej qillit u bante shoqni. Vetminë edhe ma tepër
tue e vetmue. Asnji andërr nuk endej
gjumit e pagjumë. E askund, askush
nuk dinte me dhanë dashni.

N’fillim t’fillimit askush nuk tregoi
sa vshtirë asht me jetue
me dhimtën e nji jete të tanë
që udhën për tek deka e kish gjetë
për s’pari…

/Shqip.com