Lajme

Aksidenti në Kroaci, Avokati i Popullit: Autoritetet të merren me monitorimin e zbatimit të ligjeve

Avokati i Popullit

Avokati i Popullit i Kosovës ka reaguar pas aksidentit tragjik në Kroaci, ku humbën jetë 10 kosovarë, duke iu kërkuar autoriteteve kompetente të Kosovës që seriozisht të merren me monitorimin e zbatimit të ligjeve përkatëse, përcjell Shqip.com.

Në njoftimin për media thuhet se Avokati i Popullit në vazhdimësi ka përcjellë zbatimin e ligjeve përkatëse që kanë të bëjnë me kushtet e punës, sigurinë dhe shëndetin në punë, “për çfarë edhe ka hapur hetime sipas detyrës zyrtare dhe se do të dalë me konstatime dhe rekomandime konkrete për autoritetet përkatëse”.

Tutje nga ky institucion u kanë shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave njëherësh u kanë uruar shërim të shpejtë bashkatdhetarëve të lënduar në këtë aksident.

“Me këtë rast, Avokati i Popullit i shprehë mirënjohje autoriteteve të Republikës së Kroacisë për reagim të shpejtë dhe vënien në dispozicion të resurseve dhe kapaciteteve të saj në trajtimin e të lënduarve dhe të mbijetuarve nga ky aksident tragjik”.

“Është koha e solidarizimit me bashkatdhetarët tanë të përfshirë në këtë aksident dhe me familjet e tyre. Avokati i Popullit u bën thirrje autoriteteve kompetente të Republikës së Kosovës që seriozisht të merren me monitorimin e zbatimit të ligjeve përkatëse, në veçanti të Ligjit të Punës dhe Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, 10 persona kanë humbur jetën dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar të dielën në aksidentin e autobusit i cili po vinte nga Gjermania për në Kosovë./SHQIP.com