Ajër i ndotur në qytetet e Bashkimit Evropian, DW: Rreziku ndaj qytetarëve mbulohet
Kur sheh nga majat e maleve të Vitoshës nga veriu, të del para syve një pamje e bukur e kryeqytetit bullgar Sofje, që shtrihet në një fushë të gjerë rrëzë maleve. Të paktën teorikisht, sepse realisht Sofja shpesh zhduket nën një mjegull të dëndur. Arsyeja kryesore për këtë janë mijëra automjete të vjetra me dizel, që lëshojnë sasi të mëdha gazrash të pista dhe toksike.
Në dimër atyre u shtohet tymi i sobave të ngrohjes, në të cilat digjet qymyr dhe nganjëherë mbeturina. E gjitha kjo e bën Sofjen një nga qytetet evropiane me ndotjen më të rëndë të ajrit.
Por zyrtarisht ky problem nuk ekziston. Matjet zyrtare të oksideve toksike të azotit (NO2) janë zakonisht nën limitin e BE maksimalisht 40 mikrogramë për metër kub ajër. Kështu në letër ndotja e ajrit në Sofje është relativisht e pakët.
Matjet nuk bëhen si duhet
Tani një raport i organizatës bullgare të mjedisit, Za Zemiata nga 8 tetori 2024, tregon se autoritetet e mbulojnë qëllimisht përmasën e ndotjes së ajrit. Sepse cilësia e ajrit në Sofje matet në vende, ku nuk shfaqet shkalla e vërtetë e ndotjes.
Një stacion zyrtar matës ndodhet për shembull në një park pas pemëve, 65 metra nga një rrugë kryesore. “Këto stacione matëse ofrojnë prej vitesh të dhëna, që garantojnë se Sofja i respekton gjoja kufijtë ligjorë për oksidet e azotit”, thotë Ivaylo Hlebarov nga Za Zemiata. Matjet e organizatës në rrugët dhe kryqëzimet e frekuentuara në qytet arritën në vlera, që ishin pothuajse dy herë më të larta, nga sa deklarohej zyrtarisht.
Mbulimi i ndotjes së ajrit nga autoritetet “i ngjan një krimi ndaj shëndetit publik”, thotë organizata. Sipas hulumtimeve të organizatës mjedisore Za Zemiata stacioni zyrtar matës AIS Mladost ndodhet rreth 69,5 metra nga rruga, sipas matjes virtuale. Në BE matjet duhet të bëhen direkt në anë të rrugës, si në kutinë e kuqe në foto.
Jo një rast i veçantë: Ndotja e vërtetë është nganjëherë sa dyfishi i matjeve zyrtare
Sofja nuk është i vetmi rast. Përmasa e ndotjes së ajrit fshihet sistematikisht në shumë vende evropiane, përveç Bullgarisë edhe në Hungari, Çeki, Sllovaki, Kosovë dhe Rumani. Këtë e dëshmuan rezultatet e matjeve nga shtatë shoqata mjedisore, të cilat u kryen në 64 lokacione shtesë nga viti 2022 deri në 2024.
Këto matje dhanë një ndotje shumë më të lartë me NO2 sesa ajo që ishte deklaruar nga autoritetet. Në 55 vende u matën përqendrime të NO2, të cilat janë dukshëm mbi limitin mesatar vjetor të BE prej 40 mikrogramë për metër kub në fuqi prej më shumë se 14 vjetësh.
Në Prishtinë (Kosovë) për shembull matjet zyrtare nuk ishin as sa gjysma e atyre që nxirnin organizatat e mjedisit. Në Sofje (Bullgari) ishin 47 për qind më të ulëta, në Budapest (Hungari) 43 për qind, në Bratislavë (Sllovaki) 27 për qind dhe në Bukuresht (Rumani) 24 për qind më të ulëta se rezultatet e matjeve të shoqatave mjedisore.
Nivele veçanërisht të larta të ndotjes në Evropën Qendrore dhe Juglindore Gazrat e oksidit të azotit dalin kryesisht nga makinat me dizel, me filtrim të pamjaftueshëm të emetimeve. Prodhuesit e makinave kishin mashtruar vite me radhë – kjo u bë e njohur në 2015 përmes skandalit të dizelit, fillimisht në VW dhe më vonë edhe te prodhues të tjerë të makinave. Në fakt automjetet me dizel, të shitura si makina të reja deri në vitin 2020, nuk respektojnë limitet e përcaktuara për rrugët e Evropës dhe nuk janë adaptuar nga prodhuesit. Veturat e vjetra me dizel lëshojnë mesatarisht rreth pesë herë më shumë okside të azotit sesa lejojnë limitet e BE. Qytetarët në Evropën Qendrore dhe Juglindore janë veçanërisht të prekur, pasi në rrugë qarkullon një numër veçanërisht i madh automjetesh të vjetra me dizel.
Për shembull Prishtina, kryeqyteti i Kosovës: “Cilësia e ajrit në Prishtinë vuan nga përdorimi i madh i automjeteve me dizel, gjë që çon në vlera të NO2, që tejkalojnë kufinjtë e OBSH dhe të BE”, thotë Arben Lila nga organizata për shëndetin dhe mjedisin, Kosovo Advocacy & Development Centre.
Shtetet kanë detyrim të mbrojnë shëndetin e qytetarëve të tyre
Oksidi i azotit është një gaz irritues toksik. Ai mund të dëmtojë qelizat e mushkërive dhe organet e tjera, të shkaktojë procese inflamatore në trup dhe diabet dhe të rrisë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, si infarktin në zemër. Sipas vlerësimeve të Agjencisë Evropiane të Mjedisit në BE vdesin çdo vit rreth 140.000 njerëz si pasojë e ndotjes së ajrit të shkaktuar nga oksidi i azotit.
Për këtë arsye për mbrojtjen e popullatës janë vendosur limite të oksidit të azotit në ajër. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) që nga viti 2021 rekomandon një limit prej dhjetë mikrogramësh NO2 për metër kub ajër. Më parë kufiri i OBSH-së ishte 40 mikrogramë NO2 për metër kub ajër. Sipas ligjit në BE kjo është e detyrueshme që nga viti 2010.
Të gjitha vendet e BE duhet të kontrollojnë respektimin e cilësisë së ajrit në vendet, ku ndotja është veçanërisht e lartë, dhe t’ia raportojnë këto të dhëna autoriteteve të BE. Nëse tejkalohet kufiri prej 40 mikrogramë NO₂, vendet janë të detyruara të marrin masa për të reduktuar emetimet dhe për të mbrojtur qytetarët e tyre.
Nga viti 2030 me vendim të Parlamentit të BE limiti do të zbresë në 20 mikrogramë NO2 për metër kub ajër në BE. Eksperti i njohur i mjedisit Dr. Axel Friedrich na tregon monitorin e pajisjes matëse. Nivelet maksimale të dioksidit të azotit në kryeqytet arrijnë nganjëherë nivele jashtëzakonisht të larta dhe në krahasim me matjet e stacionit zyrtar janë shumëfish më të larta. Në sfond një rrugë, dy ekspertë të tjerë të mjedisit dhe një aparat fotografik.
Matjet e NO2 në Sofje nga ekspertë të mjedisit më 5 mars 2024. Krahasuar me të dhënat e autoriteteve ndotja me NO2 është disa herë më e lartë.
“Autoritetet mendojnë se kanë gjithmonë të drejtë”
E pyetur nga DW, zyra e shtypit e Komisionit të BE deklaroi, se ishte në dijeni që organizatat mjedisore në disa vende kanë gjetur përqendrime më të larta të NO₂ në ajër nga ç`ishte raportuar zyrtarisht.
Komisioni i BE dhe Agjencia Evropiane e Mjedisit kërkuan “në dialog me autoritetet kombëtare”, që pajisjet zyrtare matëse të instaloheshin në vendet me “përqendrimet më të larta të ndotësve të ajrit”, si dhe të sqaronin “arsyet e mospërputhjeve”. Megjithatë vetëm shtetet anëtare të BE janë përgjegjëse për korrektësinë e rezultateve të matjeve. “Ata kanë mjetet e duhura për të trajtuar problemin, nëse shqetësimet rezultojnë të justifikuara”, tha zëdhënësja e Komisionit.
Në Bullgari, thotë Ivaylo Hlebarov nga Za Zemiata, deri tani autoritetet nuk janë përgjigjur publikisht ndaj zbulimeve të organizatës së tij. “Në disa raste, kur i kemi përballur me matjet tona, është thënë se matjet tona nuk janë adekuate si vlera referimi”, thotë Hlebarov.
“Autoritetet duket se mendojnë se kanë gjithmonë të drejtë. Por shpesh nuk është kështu. Ata duhet të jenë më të hapur. Por nëse për këtë nuk ka vullnet politik, atëherë e vetmja gjë që mund të bëjmë, është të rrisim presionin”.
Procese kundër koncerneve të prodhimit të makinave për rikonstruksionin e automjeteve me dizel
Në Gjermani janë duke u zhvilluar aktualisht procese gjyqësore për riparimin e shpejtë të automjeteve me dizel për reduktimin e emetimeve ndotësve.
”Makinat e pista dhe të manipuluara me dizel duhet të ndreqen me shpenzimet e prodhuesit dhe asgjë nuk duhet të dërgohet jashtë vendit”, thotë Jürgen Resch, drejtor menaxhues i Ndihmës Mjedisore Gjermane (DUH). DUH angazhohet prej vitesh për kontrollin e ndotjes së ajrit në Evropë dhe ishte e përfshirë edhe në studimin aktual.
OJQ-ja ka ngritur tashmë disa padi për ristrukturimin e makinave me dizel. Në një proces provë në fillim të vitit 2024 ajo fitoi të drejtë përpara gjykatës administrative të qytetit Schleswig. Gjykata shpalli të papranueshëm qarkullimin e mëtejshëm në rrugë të 62 modeleve me dizel nga VW, Audi dhe Seat, për shkak të pastrimit pamjaftueshëm të emetimeve.
Megjithatë koncerni VW dhe autoriteti rregullator gjerman përgjegjës për miratimin e automjeteve, autoriteti gjerman i automjeteve motorike, kanë apeluar kundër vendimit. Procesi, i cili do të ndikonte në rikonstruksionin e mundshëm të miliona automjeteve me dizel edhe nga prodhues të tjerë në BE, pritet të zgjasë shumë./ DW
/Shqip.com