Ahmeti: Më është ofruar posti i kryeministrit

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, “i ka ofruar” postin e kryeministrit. Por, Ahmeti thotë se e ka refuzuar.
Gjatë një interviste në T7, Ahmeti tregoi për historitë gjatë kohës sa ishte në Lëvizjen Vetëvendosje si dhe pas dorëheqjes nga partia përmes cilës dy herë ishte kandidat për kryetar të kryeqytetit. Dy palë zgjedhje të fituara.
“Na u bë një ofertë gatisë prej qeverise amerikane që me zëvendësu AAK-në në qeverisje. Edhe me kushtin që të bëhem kryeministër, pata thënë jo. Më ka thirrë Matthew Palmer në një të premte dhe i thashë që nuk mundem me bartë përgjegjësinë e qeverisjes më këtë përkrahje”, ka thënë ai.
Periudha për të cilën fliste Ahmeti, ishte pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, verën e vitit 2017.
Por, Ahmeti theksoi se “s’ka biseduar me PDK-në për mundësinë e krijimit të një qeverie pa AAK-në”.
Shpend Ahmeti, në fillim të vitit 2018 u largua nga Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me një numër deputetesh.
Për një periudhë drejtoi Partinë Socialdemokrate. Rezultati i zgjedhjeve të 2019 bëri që Shpend Ahmeti të dorëhiqet nga PSD e postin ta marrë Dardan Molliqaj. /Shqip.com