Lajme

AGK-ja e përkrah bojkotin e mediave ndaj Qeverisë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka mbështetur veprimin e sotëm të kolegëve të tyre të cilët bojkotuan konferencën e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit dhe ministrit të Financave, Hekuran Muratit.

Sipas reagimit të tyre, AGK thotë se nuk është hera e parë që Qeveria vonon pa ndonjë shpjegim konferencat.

“Gazetarët dhe kameramanët e medieve kosovare sot janë organizuar spontanisht për të bojkotuar konferencën për shtyp, pas Mbledhjes së Qeverisë. Gazetarët kanë pritur më shumë se 40 minuta për paraqitjen e dy ministrave të Qeverisë, Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci. AGK-ja, përkrah kolegët gazetarë për veprimin e sotëm, pasi që kjo nuk është hera e parë që Qeveria vonon pa ndonjë shpjegim konferencat”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK-ja ka kërkuar nga Qeveria për respektimin e punës së gazetarëve.

“AGK-ja, gjithashtu i kërkon Qeverisë respektimin e punës së gazetarëve duke organizuar konferencat për shtyp, në një kohë të arsyeshme pas përfundimit të mbledhjeve. Qeveria duhet ta vendosë interesin publik në rend të parë, duke pranuar pyetjet e gazetarëve për vendimet që ajo i merr”.

Kujtojmë se në një reagim publik, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu arsyetoi veprimin e ministrave duke thënë se pas mbledhjes kishte një takim të brendshëm qeveritar.

/Shqip.com