Lajme

Afër 42 milonë euro planifikohen për ngritje të shërbimeve shëndetësore

Ministria e Shëndetësisë

41 milionë e 67 mijë euro planifikohen për ngritjen e shërbimeve shëndetësore

Ministria e Shëndetësisë po planifikon nisjen e një projekti në vlerë të 41 milionë e 67 mijë euro për  ngritjen e shërbimeve shëndetësore.

Sipas njoftimit zyrtar, krerët e këtij dikasteri kanë marrë pjesë në punëtorinë e organizuar për hartimin e Planit Strategjik për zbatimin e fizibilitetit dhe raportit shtesë për studimin “Ngritja e infrastrukturës dhe pajisjeve për kujdesin dytësor dhe tretësor”.

“Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia i shoqëruar nga zv/ministrja Dafina Gexha, zv/ministri Arsim Berisha dhe Sekretari i Përgjithshëm Naim Bardiqi, mori pjesë në punëtorinë e organizuar nga grupi punues kyç për hartimin e Planit Strategjik për zbatimin e fizibilitetit dhe raportit shtesë për studimin “Ngritja e infrastrukturës dhe pajisjeve për kujdesin dytësor dhe tretësor”.Gjatë këtij takimi, ministri Vitia theksoi urgjencën e përmirësimit të shërbimeve shëndetësore si një prej prioriteteve kryesore të Qeverisë Kurti. Në këtë takim ministri Vitia tha se është hera e parë që kemi një plan të tillë strategjik për ngritjen e infrastrukturës dhe pajisjeve për kujdesin dytësor dhe tretësor”.

Sipas njoftimit të MSH-së, ministri i Shëndetësisë ka thënë se ky plan sado që të jetë ambicioz do të jetë edhe i realizueshëm.

“E dimë që janë probleme sistemike, por nga stafi shëndetësor nuk mund të kërkojmë maksimumin kur mungojnë parakushtet për të ofruar shërbime sa më cilësore për qytetarët tanë që është edhe objektivi kryesor. Pasi shëndetësia është një prej prioriteteve të Qeverisë së Kosovës, gjë që dëshmohet edhe me rritjen e buxhetit që është më i larti deri më tani, si dhe me donatorët tanë të cilët kanë shprehur gatishmërinë, ky plan sado ambicioz, do të jetë i realizueshëm”, tha ministri Vitia.

Nëpërmjet njoftimit të MSH-së, tregohen edhe objektivat e grupit punës në hartimin e këtij plani.

Grupi punues në Planin e veprimit ka përcaktuar propozimet e dala nga studimi me qëllim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore në një periudhë afatshkurtër. Disa nga objektivat e grupit punues janë riorganizimi i shërbimeve shëndetësore sekondare dhe terciare në spitalet e përgjithshme, adaptimi i numrit të shtretërve spitalorë nevojave të shërbimeve spitalore për pacientë, modalitetet e financimit dhe sigurimit të pajisjeve të domosdoshme mjekësore, pagesa sipas performances të profesionistëve shëndetësor, janë disa nga objektivat e përfshira në Planin Strategjik të përpiluar nga përfaqësuesit e MSh, SHSKUK, spitaleve të përgjithshme dhe përfaqësues të tjerë në sektorit te shëndetësisë.

Vlen të theksohet se në baza reale, propozimi për koston e projektit është 41.067.355 euro.

/Shqip.com