Lajme

Abdixhiku viziton Deçanin: S’është koha për politikë e as për gjueti fajtorësh

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vizituar të martën mbrëma Deçanin pas dyshimeve për helmim nga uji i pijes të mbi një mijë e 500 banorëve të kësaj komune, njofton Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku është shprehur se nuk është koha t’i hidhet askujt faji dhe se të gjithë duhet të jenë bashkë.

Këto deklarata ai i ka bërë pasi disa deputetë opozitarë kanë kritikuar Qeverinë Kurti për neglizhencë ndaj këtij rasti.

Ndër të tjera, i pari i LDK-së ka thënë se bashkë me kryetarin e Komunës së Pejës i kanë ofruar ndihmën e nevojshme Deçanit.

“Komunës fqinje, i ofruam ndihmën e nevojshme – të çfarëdoshme – Komunës së Deçanit, Qeverisë qendrore e gjithë qytetarëve të kësaj ane. Gjithashtu, të gjitha ekipet tona të ekspertëve e profesionistëve, vullnetarëve e strukturave janë në dispozicion të plotë. Sot, të gjithë ndjehemi qytetarë të Deçanit”, ka shkruar ai.

Mbi një mijë e 500 qytetarë në Deçan kanë kërkuar ndihmë mjekësore që nga e shtuna në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, dy prej të cilëve kanë vdekur, për shkak të dyshimeve se janë helmuar nga uji.

Dy rastet e vdekjeve janë cilësuar si të dyshimta, ndërkaq trupat e pajetë të viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

IKSHPK ka arritur të marrë mostrat e ujit, nga i cili dyshohet se po vjen helmimi, megjithatë nuk ka arritur të sigurojnë rezultatin final. Deri më tani, nuk dihen shkaqet e helmimit./Shqip.com