Lajme

Abdixhiku: Të larguarit nga LDK-ja do të rikthehen në shtëpinë e tyre

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se “të larguarit” nga ky subjekt politik do të rikthehen për të rikthyer bashkë partinë “në vendin e saj original”.

Këtë deklaratë kreu i LDK-së e dha në një tubim në Lipjan, ku shtoi se në zgjedhjet e tetorit, “duhet përfunduar gara me të parën, me Lipjanin si kampion”.

Abdixhiku më tej është shprehur lidhur me punën e kryetarit të kësaj komune, Imri Ahmeti, duke thënë se ky i fundit është bërë shembull për të gjithë.

“Qyteti antik, Ulpiana e dikurshme e Lipjani i sotëm është transformuar në një qytet shembull për secilin prej nesh, prandaj sot të gjithë ndihemi mirë, e si të mos ndihemi mirë kur një shteg si ky shoqërohet me gjelbërim gjithandej, me një shesh qyteti që i jep jetë e shpirt për çdo mbrëmje, në verë e në dimër pa dallim, me parqe atraktive, ndriçime rrugësh e rrugicash, me stadium qyteti, me rrugë të zgjeruara e me projekte transformuese që jetën këtu e bëjnë fare të lehtë, ku mërgimtarët ndihen të mirëseardhur siç thonë ata Zvicër andej, Zvicër këndej. Gjithë ky transformim është si falënderim për secilin prej jush, është puna juaj e përditshme, e ndershme dhe e sinqertë që ka sjellë këtë ndryshim, por mbi të gjitha mban për falënderim kryetarin tuajin e tonin, mikun tim e tuajin, Imri Ahmeti”, tha ai, raporton KP.

“Gjatë gjithë këtyre viteve dhe gjatë gjithë ecjes tonë të përbashkët, për të gjitha rezultatet e arritura në Lipjan, e sot komuna jonë është ndër komunat më të mira në Kosovë, sepse vazhdimisht është në krye të tabelës për përformancë të mirë, është kontribut dhe angazhim i qytetarëve të Lipjanit, është angazhim i strukturave dhe i gjithë juve që na përcjelltë vazhdimisht me punën dhe aktivitete të mira”, shtoi Abdixhiku. /Shqip.com