Lajme

Abdixhiku: E vlerësojmë marrëveshjen e arritur, veprimet e Qeverisë janë drama populliste

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se marrëveshja e mbrëmshme e garanton suksesin dhe stabilitetin politik.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e vlerëson dakordimin e mbrëmshëm, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe më mbështetjen e ShBA-ve.

Siç edhe kemi theksuar në vazhdimësi, rruga e vetme që garanton suksesin e Kosovës është bashkërendimi i ngushtë dhe i përhershëm me partnerët strategjikë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për Kosovën dhe të ardhmen euroatlantike të saj, stabiliteti politik dhe siguria janë parakushte esenciale, ndërsa bashkëpunimi i përgjegjshëm ndërkombëtar garanton shtyrjen përpara të interesave nacionale të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku.

Veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, sipas të parit të LDK-së, i kanë lënduar raportet e shtetit me aleatët ndërkombëtarë.

“LDK-ja e ka parë si tërësisht të panevojshme dhe të dëmshme gjithë dramën populliste të krijuar nga institucionet kryesore të vendit gjatë ditëve dhe javëve të fundit. Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë, pas gjithë dramës së shkaktuar, tregon joseriozitetin e drejtuesve aktualë të shtetit në përballje me përgjegjësitë e larta shtetërore.

Kjo sjellje, përveç se ka lënduar marrëdhëniet e Kosovës me institucionet ndërkombëtare dhe shtetet mike, për të cilat Kosova ka nevojë, ka bllokuar dhe proceset kryesore integruese të vendit”, ka theksuar Abdixhiku.

Tutje, ai i ka bërë thirrje institucioneve të jenë sa më transparente për procesin e dialogut, duke raportuar në Kuvend para përfaqësuesve të zgjedhur për temat që disktutohen në takimet e Brukselit.

Të gjitha zhvillimet rreth marrveshjes se arritur gjeni ne permbledhjen LIVE

/Shqip.com