Lajme

Abdixhiku: Brenda planit franko-gjerman është Asociacioni

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se brenda planit franko-gjerman është edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Në emisionin Rubikon, Abdixhiku tha se kush e përkrahë këtë planë, përkrahë edhe implementimin e Asociacionit.

“Brenda planit franko-gjerman ka elemente të mira dhe nuk mund t’i mohoj por duhet të them publikisht që brenda planit franko-gjerman është Asociacioni i Komunave Serbe. Kushdo që thotë jam pro planit franko-gjerman nënkupton që është për implementimin e Asociacionit të Komunave Serbe se është pjesë integrale e këtij plani”.

Abdixhiku tha se nuk dëshiron ta komentojë këtë plan por theksoi se ai është bazë drejtë marrëveshjes finale dhe jo marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk do të doja të komentoja mbi këtë plan sepse është në fazën e përpunimit dhe nuk do t’i bëja nder as Kosovës dhe as institucioneve të vendit. Plani franko-gjerman është për arritjen e një marrëveshje finale për të shkuar drejt një marrëveshje tjetër që është finale. Është një bazë drejtë marrëveshjes finale”.

Kryetari i LDK-së, tha se ky plan u është prezantuar edhe nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti por që nuk është ai që qarkulloi në media.

Krahas, kësaj Abdixhiku tha se për ekzistencën e këtij plani ishte njoftuar edhe atëherë kur ai u mohua nga krerët shtetëror.

“Në takimin që kam pasur me kryeministrin Kurti më është prezantuar plani franko-gjerman dhe gjatë kohës sa u mohua ky plan, kemi pasur informacione nga aleatët tonë, miqve tanë dhe kanaleve tona diplomatike për ekzistencën e këtij plani. Kemi qenë edhe më herët të informuar se sa na ka informuar kryeministri.  Dokumenti si dokument na është prezantuar në takim me Kurtin, ka qenë një dokument së bashku me shënimet e tij të cilin e kam lexuar dhe e kam kthyer prap të ai sepse ishte kopja e vetëm që kishte. Ishte një dokument dyfaqësh si marrëveshje bazë. Nuk ka qenë asnjëherë ky që është dal në media, disa media e kanë dhënë substancën e kësaj marrëveshje”.

Abdixhiku foli edhe për vizitën që do ta realizojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të cilën raportoi Shqip.com.

“Unë kam një vizitë një javoresh në SHBA, do të fluturojë të dielën në Uashington dhe do të zhvillojë takime të parapara në Departamentin Amerikan të Shtetit, takime me kongresmen, senatorë me figura politike atje si pjesë e angazhimit tonë politik. Qëllimi I vizitës është të shprehim qëndrimet tona sa I përket situatës në vend dhe jo të bëjmë opozitën e Qeverisë”.

Sipas Abdixhikut, ky do të jetë vetëm fillimi i vizitave të tij që do t’i ketë në ShBA.

Kujtojmë se planin franko-gjerman Kurti e ka cilësuar si bazë të mirë të marrëveshjes.

“Në takimin e përbashkët me Presidenten Osmani, biseduam për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, dialogun për marrëveshje Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit. Potencuam se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, shkroi Kurti në Facebook.

Ndërsa, për formimin e Asociacionit të Komunave më Shumicë Serbe, Kurti ka thënë para gazetarëve se përgjigjen për këtë e ka dhënë tash e nëntë vite.

/Shqip.com