Lajme

Abdixhiku: Asociacioni duhet të themelohet, por në bazë të Kushtetutës së Kosovës

Lumir Abdixhiku, Kryetari i LDK-së
Lumir Abdixhiku, Kryetari i LDK-së

Lumir Abdixhiku, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë në emisionin “Pressing” në T7 se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet pasi është obligim ndërkombëtar, por që duhet të bëhet në bazë të Kushtetutës së Kosovës.

Ai ka cekur se pyetjet që janë ndaj formimit të këtij Asociacionit janë vetëm për kohën e formimit të tij dhe asaj se si do të duket.

“Kushtetuesja e ka dhënë vendimin me 22 pika mbi të cilin duhet të bazohet ky Asociacion”, ka thënë Abdixhiku.

“Asociacioni duhet të formohet. Pyetja është kur dhe si?”, shtoi tutje ai.

Abdixhiku, po ashtu, ka thënë se Kosova është vënë në pozitë të keqe edhe përballë partnerëve ndërkombëtarë me veprimet e fundit në kuadër të dialogut.

“Vuçiq mburrej para Serbisë se rreshtohej me Putinin. Si mund të bëhet sot që SHBA të dalë e ta lavdërojë për konstruktivitet e neve të na japë kritika”, ka thënë ai.

Tutje, Abdixhiku, i është kundërpërgjigjur kryeministrit të vendit, Albin Kurti, pasi ky i fundit sot në Kuvend e bëri një vlerësim për Abdixhikun dhe Avdullah Hotin, duke thënë se ‘nuk janë as çereku i zëvendësit aktual dhe ministrit të financave’.

Abdixhiku tha se Kurti në Kuvend ishte i çakorduar në mendimet e tij.

Sipas tij, Kurti humbi argumentin e debatit politik për një temë shumë të rëndësishme për Kosovën, dhe thotë se filloi të merret me çështje personale. Madje, Abdixhiku e krahasoi si “disa fëmijë të mëhallës që kur humbnin e merrnin topin e iknin në shtëpi’.

“E shihni sa i çakorduar është në mendime. Ma qoj mallin, në mëhallë i kemi pas disa fëmijë që përpara kur luanin futboll e kanë pas topin, kanë qenë pronarë të topit, dhe sa herë humbnin, e merrnin topin dhe iknin në shtëpi. Kështu mu duk sot. Kur e humbi argumentin e debatit politik për një temë shumë të rëndësishme për Kosovën, filloi të merret me çështje personale”.

Abdixhiku tutje tha se ministrat e LDK-së në qeverisjen e Kurtit kanë qenë ministrat më të mirë.

“Na mund të themi, po çka ti bëjmë tashti raportet që i kishte shkruar atëherë kur ishim bashkë në 100 ditë, e që bënte lëvdata. Për gjithë ministrat e LDK-së. Kanë qenë ministrat më të mirë. Unë nuk ndërroj mendim për të për punën që kemi pas atëherë. Unë konsideroj që ky është i paaftë dhe i dëmshëm për të udhëhequr Kosovën. Por tani të merremi me ofendime personale në këtë çështje madhore, nuk besoj që i takon një lideri. Më dukej si ai fëmija që e merr topin dhe ikë”, tha Abdixhiku.

Lideri i LDK-së thotë se nuk i ka lënë përshtypje kjo deklaratë e Kurtit, pasi sipas tij, kjo nuk është madje as sjellje e një burrështetasi.

“Këto çështje as nuk më lënë përshtypje, as nuk janë ofenduese, as nuk i trajtojë serioze, as nuk janë sjellje të një burrështetasi”.

/Shqip.com